Ndërlidhjet

Lavrov: Marrëveshja e Dejtonit, themel i funksionimit të Bosnjës


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të hënën se Marrëveshja e Dejtonit, me të cilën i është dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë më 1995, është “themel i funksionimit të Bosnjës” dhe se “barazia e tre popujve përbërës dhe e dy entiteteve duhet të respektohet”.

Lavrov i bëri komentet në Sarajevën Lindore, që është kryeqytet i Republikës Sërpska.

“Dua të them se çdo përpjekje për të prishur Marrëveshjen e Dejtonit mund të shkaktojë rreziqet dhe pasojat më serioze. E di se sa e vështirë ishte të krijohej dhe pa njërin përbërës, i gjithë sistemi mund të rrezikohet dhe të bëhet kërcënim për stabilitetin”, tha Lavrov.

“Marrëveshja e Dejtonit nuk krijon pengesa në marrëdhëniet midis Bosnje e Hercegovinës dhe Bashkimit Evropian. Ne nuk ndërhyjmë në atë proces”, tha kryediplomati rus pasi arriti për vizitë dyditëshe në Bosnje.

Bosnja shënon sot 25-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, me të cilën i është dhënë fund luftës së viteve 1992-95.

Me këtë marrëveshje, Bosnja po ashtu është ndarë në dy entitete: Federata Myslimane-Kroate dhe Republika Sërpska.

Përveç përfaqësuesve myslimanë, kroatë dhe serbë, nënshkrues të marrëveshjes kanë qenë edhe SHBA-ja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Rusia.

Udhëheqësi aktual i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, tha se Republika Sërpska ka nderin e veçantë që, në përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, të jetë nikoqire e “mysafirit më të dashur”, Sergei Lavrov.

Dodik, pas takimit me Lavrovin, e falënderoi Rusinë për “krijimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit”.

Ai tha se nuk ka çështje të hapura midis Republikës Sërpska dhe Rusisë dhe se “bashkëpunimi i suksesshëm ekonomik” midis tyre po zhvillohet me një numër projektesh.

Më herët, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se “Marrëveshja e Dejtonit ka sjellë paqe në Bosnje e Hercegovinë dhe ka riafirmuar sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e saj”.

Megjithatë, pas një çerek shekulli, puna për drejtësi, pajtim dhe një Bosnje funksionuese multietnike nuk ka përfunduar, tha Biden.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG