Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut do të shkurtojë orarin e punës në sektorin e gastronomisë


Pamje të një restoranti bosh në Shkup.
Pamje të një restoranti bosh në Shkup.

Bizneset në Maqedoninë e Veriut, në veçanti ato të sektorit të gastronomisë, kanë dalë kundër paralajmërimeve për shtrëngim të ri të masave, me qëllim të frenimit të koronavirusit, para festave të Vitit të Ri.

Vendimi për kufizimet e reja, që kanë të bëjnë kryesisht me shkurtimin e orarit të punës së këtyre shërbimeve në orën 18:00 nga ora 21:00 sa ishte deri më tani, pritet të miratohet nga qeveria derisa i njëjti është propozuar nga Komisioni për Sëmundje Infektive.

Komisioni ka propozuar që kufizimi i punës së objekteve të gastronomisë të zgjasë nga data 18 dhjetor deri më 21 janar. Masat parashohin ndalimin e festimeve nëpër sheshe të qyteteve sikur edhe grumbullimin e më shumë se katër personave.

Por, drejtuesit e Odës së Pavarur të Gastronomëve, thonë se çdo vendim për kufizim të mëtejmë të punës, do të godasë këtë dhe sektorë tjerë të ekonomisë, përfshirë edhe atë të hotelerisë, të cilët kanë anuluar të gjitha rezervimet e bëra për festat e fundvitit.

Gastronomët, kërkojnë jo vetëm që të mos shkurtohet orari i punës, por edhe rritjen për disa orë apo kthimin e gjendjes së para pandemisë.

“Kërkojmë që gjatë festave të punojmë deri në orën 1:00 pasmesnate apo edhe deri në orën 2:00. Ne do të respektojmë të gjitha protokollet, ashtu siç i kemi respektuar deri më tani. Në Maqedoni (të Veriut) ka lokale dhe klientë që i respektojnë deri në fund rekomandimet e mjekëve dhe ata nuk duhet të dënohen pse dikush tjetër bën shkelje. Komisioni nuk duhet të dalë me rekomandimin për mbyllje pa dëgjuar edhe mendimin tonë. Ne, jemi të gatshëm që të bëjmë gjithçka që me dinjitet t’i urojmë mirëseardhje Vitit të Ri. Kjo ka shumë rëndësi pasi bizneset po përballen me pasoja të rënda nga kjo situatë”, thotë Zdravko Josifovski nga Oda e Pavarur e Gastronomëve.

Drejtuesit e disa bizneseve thonë se për shkak të krizës me pandeminë, kanë pësuar humbje të mëdha dhe se është çështje kohe kur bizneset e tyre mund të mbyllen krejtësisht.

"Ne po përballemi me pasoja të rënda. Kemi ulur pagat e punëtorëve për 50 për qind. Nëse kështu vazhdon atëherë do të jemi të detyruar edhe të bëjnë largime nga puna. Ne nuk dimë më se si të mbijetojmë. Edhe nëse qeveria nuk na mbyllë, ne vetë do të jemi të detyruar që këtë ta bëjmë këtë gjë nëse nuk marrim ndihma nga shteti”, Tome Trimçev, pronar restoranti.

"Ne kemi ardhur në pikën e fundit të mbijetesës si afarist. Nëse nuk marrim ndonjë ndihmë, sikur edhe kompanitë tjera, ne do të falimentojmë. Me shkurtimin e orarit të punës apo mbylljen askush më nuk do të jetë në gjendje të kontrollojë biznesin, në veçanti pas festave të Vitit të Ri”, thotë Ahmet Gavaz, një tjetër pronar lokali.

Por, nga Ministria e Shëndetësisë, kanë bërë të ditur se nuk mund të ketë kompromise me shëndetin e qytetarëve dhe se do të veprojnë në përputhje me rekomandimet e ekspertëve, sikur edhe deri më tani.

Mjeku specialist, Aleksandar Minov thotë se qytetarët, në veçanti bizneset, duhet të kuptojnë seriozitetin e virusit vdekjeprurës, andaj edhe sipas tij, tani nuk është koha për festa, por për kujdes maksimal për mbrojtjen e jetëve të njerëzve.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ende nuk jemi në fazën që të lëshohemi dhe t’i lejojmë vetes që të bëjmë ahengje apo manifestime tjera. Derisa të vjen vaksina, që do të na mbronte mjaftueshëm, ne duhet të ndërmarrim masa, të cilat edhe tani i kemi praktikuar. Duhet të vazhdojmë të mbajmë distancën, të mbajmë maskën, të përmbahemi nga vizitat, në veçanti gjatë festave të Vitit të Ri. Çdo papërgjegjësi e jona mund të përkeqësojë gjendjen dhe të sjellë ndonjë valë të re të virusit që mund të ketë pasojë të rënda”, thotë mjeku specialist Aleksandar Minov.

Qeveria në seancën e 11 dhjetorit, ka miratuar një masë plotësuese prej tetë milionë eurosh në ndihmë të kompanive shtetërore e private, shoqatave e bizneseve.

Gjatë krizës me pandeminë, ajo ka miratuar edhe katër pako financiare në vlerë prej rreth 800 milionë eurosh, në ndihmë të më shumë kategorive të qytetarëve dhe bizneseve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG