Ndërlidhjet

Hakerë të dyshuar rusë prapa sulmeve kibernetike në SHBA


Ilustrim.
Ilustrim.

Hakerë të dyshuar rusë kanë hyrë në rrjetet e qeverisë amerikane, përfshirë Departamentin e Thesarit dhe atë të Tregtisë, si pjesë e një fushate disa mujore globale të spiunimit kibernetik, që besohet të ketë shënjestruar edhe qeveri të tjera dhe korporata të mëdha.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Ullyot, tha përmes një deklarate më 13 dhjetor se qeveria ishte "duke marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe korrigjuar çdo çështje të mundshme në lidhje me këtë situatë". Ai nuk tha se kush qëndronte pas sulmit. Agjencia Reuters ishte e para që raportoi për këtë sulm kibernetik.

Zyrtarët e njohur me këtë çështje thanë se hakerat kishin në shënjestër Departamentin e Thesarit dhe Departamentit të Tregtisë, të dyja këto institucione përgjegjëse për vendosjen e politikës së internetit dhe të telekomunikacionit.

Ekziston gjithashtu një shqetësim se rrjetet e agjencive tjera qeveritare mund të jenë komprometuar. Situata është aq serioze, sa që Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh në Shtëpinë e Bardhë më 12 dhjetor, njoftoi Reuters.

"Kjo është një histori shumë më e madhe se një agjenci e vetme", i tha agjencisë Reuters një prej njerëzve që ka njohuri për këtë çështje. "Kjo është një fushatë e madhe e spiunazhit kibernetik që synon qeverinë e SHBA dhe interesat e saj", tha burimi.

Reuters dhe Washington Post, duke cituar zyrtarë amerikanë, thanë se hakerat e qeverisë ruse aktualisht besohet se qëndrojnë prapa sulmit.

Ambasada ruse në Uashington mohoi çdo përfshirje në sulmet kibernetike, duke e quajtur akuzën "të pabazuar".

"Rusia nuk kryen operacione sulmuese në fushën kibernetike", tha ambasada ruse në një deklaratë në faqen e saj në internet.

"Aktivitetet malinje në hapësirën e informacionit janë në kundërshtim me parimet e politikës së jashtme ruse, interesat kombëtare dhe mënyrës se si i kuptojmë marrëdhëniet ndërshtetërore", tha deklarata.

Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe agjenci tjera. Operacioni i hakerëve, që besohet të ketë filluar muaj më parë, por që është zbuluar tani, përfshinë edhe spiunimin e postës elektronike të agjencive të shënjestruara. Zbulimi vjen pasi firma amerikane e sigurisë kibernetike FireEye më 8 dhjetor tha se "një vend me aftësi sulmuese të nivelit të lartë" u fut në rrjetin e saj.

Hakerat vodhën mjetet që përdor FireEye për të testuar dobësitë në rrjetet kompjuterike të klientëve të saj, duke përfshirë qeveritë federale, shtetërore dhe lokale dhe korporatat kryesore.

Shumë anëtarë të komunitetit të sigurisë kibernetike dyshojnë se grupi i hakimit i lidhur me inteligjencën ruse, i njohur si APT29, ose Ariu i Qetë, ishte prapa sulmit ndaj FireEye.

I njëjti grup ishte prapa sulmeve ndaj Departamentit të Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së Barack Obamas, si dhe sulmit të serverave të Komitetit Demokratik Kombëtar gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Në një postim në blog më 13 dhjetor, FireEye tha se kishte zbuluar një "fushatë globale ndërhyrjeje" përmes një përditësimi të softuerit të serverit të bërë nga firma SolarWinds.

Softueri përdoret nga qindra mijëra organizata në mbarë botën, përfshirë korporatat e mëdha dhe qeveritë. Në faqen e saj të internetit, SolarWinds thotë se ndër klientët e saj janë edhe: Pentagoni, Departamenti i Shtetit, NASA, Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Drejtësisë dhe Shtëpia e Bardhë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG