Ndërlidhjet

Irani ekzekuton gazetarin që kishte kundërshtuar regjimin


Gazetari iranian i ekzekutuar me varje, Ruhollah Zam.
Gazetari iranian i ekzekutuar me varje, Ruhollah Zam.

Irani ka ekzekutuar gazetarin disident, Ruhollah Zam, puna në internet e të cilit ndihmoi në frymëzimin e protestave mbarëkombëtare më 2017.

Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve ISNA raportoi më 12 dhjetor se Prokuroria Revolucionare e Teheranit njoftoi për ekzekutimin e Zam me varje. Aktivistët e të drejtave të njeriut shprehën zemërim.

Ekzekutimi vjen disa ditë pasi gjyqësori i Iranit njoftoi se Gjykata e Lartë kishte mbështetur një dënim me vdekje kundër gazetarit 47-vjeçar. Komuniteti ndërkombëtar e dënoi fuqishëm vendimin.

Pas konfirmimit që ekzekutimi ishte kryer, vëzhguesi ndërkombëtar i medias Reporterët pa Kufij (RSF) shkroi në Twitter se ishte "i zemëruar me këtë krim të ri të drejtësisë iraniane" duke shtuar se “truri i këtij ekzekutimi” ishte Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Zam u dënua me vdekje nga një Gjykatë Revolucionare në muajin qershor. "Reporterët pa Kufij" e kishin quajtur procesin gjyqësor si "shumë të padrejtë".

Ai u dënua për "korrupsion në Tokë", një akuzë e ngritur shpesh në raste që përfshijnë spiunazh ose përpjekje për të përmbysur qeverinë e Iranit.

Uebfaqja e Zam, AmadNews dhe një kanal që ai krijoi në aplikacionin popullor të mesazheve Telegram, kishin informuar njerëzit për protestat e vitit 2017, të cilat filluan për shkak të vështirësive ekonomike dhe u përhapën në të gjithë vendin.

Protestat paraqiten sfidën më të madhe për Iranin, që nga trazirat masive pas zgjedhjeve më 2009, dhe vendosën bazën për trazira të ngjashme në nëntor të vitit 2019. Më shumë se 20 njerëz u vranë gjatë trazirave dhe mijëra u arrestuan.

AmadNews u pezullua në Telegram më 2018 por më vonë vazhdoi punën me një emër tjetër. Zam kishte jetuar dhe punuar në Paris, përpara se të arrestohej në tetor të vitit 2019 në rrethana ende të paqarta.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thanë se kishin "zënë" aktivistin në një "operacion kompleks", por nuk njoftuan se ku ndodhi operacioni.

Zam, të cilin "Reporterët Pa Kufij", me bazë në Parism, e përshkruanin si një "figurë shumë të diskutueshme si në Iran dhe në diasporën iraniane", u shfaq publikisht duke pranuar akuzat dhe duke ofruar falje për aktivitetet e tij të kaluara.

Ai më parë kishte mohuar pretendimet se ai kishte nxitur dhunë, por e pranoi hapur se misioni i AmadNews ishte të rrëzonte qeverinë.

Irani rregullisht i detyron të burgosurit të rrëfehen publikisht, shpesh nën detyrim ose torturë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG