Ligji për rimëkëmbje ekonomike, i cili qytetarëve të Kosovës iu mundëson tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale, i vë në pozitë të pabarabartë qytetarët dhe rrjedhimisht mund të ketë elemente që të trajtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese e Republikës se Kosovës, thotë profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu.
Neni 5 i këtij ligji, që është miratuar më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, parasheh që Qeveria e Kosovës t’i kompensojë qytetarët që tërheqin mjete, e të cilët kanë kursime deri në në 9.999 euro. Kurse ata që kanë mbi 10 mijë euro, nuk do të rimburësohen.
Për këtë, Baraliu thekson se në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit.
“Është diçka që thjesht mund të jetë diskutabile dhe rrjedhimisht mund të jetë edhe objekt i trajtimit me ndonjë parashtresë nga ato subjekte, që sipas Kushtetutës kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtuese”, tha Baraliu.
Në bazë të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, 92 për qind e kontributpaguesve në llogaritë e tyre kanë nën 10 mijë euro, kurse vetëm 8 për qind mbi 10 mijë euro.
Rukiqi: Mosrimburësimi për një pjesë të kontributpaguesve është diskriminues
Edhe Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, i cili ka mirëpritur miratimin e këtij ligji, thotë se nuk pajtohet vetëm me nenin ku ka të bëjë me kompensimin e kursimeve të kontributpaguesve deri në 10 mijë euro. Sipas tij, ky veprim është diskriminues.
“Është diskriminim. Ose duhet të kompensohen të gjithë ose nuk duhet të kompensohet asnjë. Realisht kjo mund të jetë çështje për Gjykatën Kushtetuese sepse shkelë të drejtat e kontribuuesve të tjerë”, thekson Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.
Çdo trajtim jo i barabartë përbën shkelje të të drejtave të njeriut, thotë Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë.
Por, në situatën në të cilën gjendet vendi për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, Shala e arsyeton veprimin e Qeverisë së Kosovës, në mënyrë siç thotë ai, të ndihmojë rastet që kanë më pak mjete të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Ai vlerëson se personat që kanë nën 10 mijë euro edhe kushtet materiale i kanë më të rënda.
“Në një situatë emergjente në të cilën jemi, në një situatë të vështirësuar ekonomike për vendin, besoj se është obligim i qeverisë të kujdeset fillimisht për kategoritë e rrezikuara. Mendoj që këta që kanë mbi 10 mijë euro kursime, nuk do duhej të kundërshtonin në këtë fazë këtë çështje, pasi në ndihmë duhet t’i dilet kategorive më të rrezikuara që kanë më pak se 10 mijë euro kursime. Kurse në të ardhmen, sipas mundësive duhet të shikohet për rimburësim të mjeteve edhe kontributpaguesve që kanë mbi 10 mijë euro”, shprehet Shala.
Ligji për rimëkëmbje ekonomike është votuar në Kuvendin e Kosovës pas disa dështimesh, derisa ka marrë mbështetjen edhe të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës. Ligjin nuk e kanë përkrahur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Hekuran Murati, deputet i Lëvizjes Vetëvendosjes, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky nen krijon dhe thellon edhe më tepër pabarazinë sociale në mes qytetarëve. Megjithatë, ai thotë se nuk është diskutuar që ligji të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Një gjë e tillë është kundërkushtetuese dhe krijon dhe thellon pabarazi sepse nuk e përcakton niveli i kursimeve në Trust nivelin e pasurisë apo nivelin e statusit material që mund të ketë dikush”, thekson ai.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se nëse ka iniciativa të tilla për dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese, duhet të mblidhen institucionet përkatëse dhe ta trajtojnë këtë çështje.
“Duhet të shohim se nëse kompensimi duhet të trajtohet si pabarazi sociale, atëherë duhet të mblidhen institucionet për të trajtuar këtë çështje”, tha Bajrami gjatë një konferencë për media, se bashku me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe përfaqësues të Fondit të Kursimeve Pensionale dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Të premten fillon aplikimi për tërheqjen e mjeteve në Trust
Sidoqoftë, më 11 dhjetor 2020, do të fillojë aplikimi i kontributpaguesve për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale, ka njoftuar të martën kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Por, Sadri Ferati rreth 45 vjeç, i cili ka punuar herë pas herë në sektorin privat dhe në llogarinë e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka rreth 200 euro, thotë se nuk do të tërheqë 10 për qind të mjeteve të përgjithshme, që i bie 20 euro.
“Për çfarë arsye qeveria nuk ka qenë në gjendje të klasifikojë për shembull në kategori. Ata që kanë deri në 500 euro t’iu jepen të gjitha mjetet, në mënyrë që të përfitojnë diçka. Nga ky ligj kanë përfituar vetëm kategoria e pasur. Qytetarët që kanë deri nën 10 mijë euro, mjetet do iu rimburësohen, kurse ata që kanë mbi 10 mijë edhe nuk kanë nevojë për mjete të Trustit", tha Ferati.
Bukurie Berisha, që 12 vjet punon në sektorin privat. Ajo thotë se asnjëherë nuk është interesuar për t’u njoftuar për shumën e mjeteve, por është e interesuar që t’i tërheqë ato kur të nisë aplikimi.
“Ide shumë pozitive sepse dihet standardi i popullit tonë dhe kjo do të jetë ndihmë edhe për buxhetin tim familjar”, thotë Berisha.
Kurse Arbër Ademi, student i ekonomisë në një nga kolegjet private në Kosovë, i cili ka filluar punën në një lokal në Prishtinë që gjashtë muaj, thotë se nuk ka shumë para për tërhequr dhe as nuk do të aplikojë. Por, megjithatë ai e vlerëson si të padrejtë vendimin e qeverisë që një kategorie të kontributpaguesve t’u kthehet mjetet në llogaritë e tyre, e të tjerëve jo.
“Duhet që të gjithëve t’iu rimburësohen paratë sepse është e padrejtë që dikush që ka 9.999 euro të kompensohet, kurse tjetri 10.010 euro të mos i kthehen (paratë). Kjo për mua është e padrejtë”, tha ai.
Numri i kontributpaguesve në Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në 639.264. Kurse vlera e mjeteve në menaxhim është mbi 2 miliardë euro. Fondi ka njoftuar se aplikimi për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga kontributdhënësit mund të bëhet vetëm në formë elektronike, përmes një faqeje të veçantë interneti.
Facebook Forum