Ndërlidhjet

Qeveria e Malit të Zi: Kosova me fusnotë, “gabim teknik”


Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq.
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq.

Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi tha se shënimi i Kosovës me fusnontë në një dokument të sajin zyrtar ka qenë “gabim teknik”.

Më herët, në një nga dokumentet e para të Qeverisë së re të Malit të Zi dhe të Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, i cili u referohet masave të reja kundër pandemisë COVID-19, Kosova u shënua me fusnotë.

Dokumenti fillestar i Qeverisë malazeze
Dokumenti fillestar i Qeverisë malazeze

Yllin pranë emrit (Kosova*) e vendosin vetëm disa vende që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Në të gjitha dokumentet e deritashme zyrtare të Qeverisë malazeze, Kosova është trajtuar në përputhje me vendimin për njohjen e pavarësisë së saj, përkatësisht pa yll në emër.

“Gjatë përgatitjes së tabelës me masat e reja kundër pandemisë COVID-19, ka ndodhur një gabim teknik, me ç’rast Kosova është paraqitur me fusnotë. Menjëherë pasi është vërejtur, shërbimet informative të Ministrisë së Shëndetësisë e kanë përmirësuar gabimin, gjë që mund të shihet edhe në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi”, thuhet në një deklaratë të shërbimit për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në Mal të Zi është mjekja Jellena Boroviniq Bojoviq.

Qeveria e re e Malit të Zi, e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq, është zgjedhur më 4 dhjetor.

Ajo përbëhet nga tre koalicione dhe dominohet nga partia Fronti Demokratik.

Kjo e fundit, në të kaluarën, është zotuar se do ta tërheqë njohjen e Kosovës.

Qeveria e Malit të Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës disa muaj pas shpalljes së saj, në vitin 2008.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG