Ndërlidhjet

Asgjësohen mbi 300 mijë produkte të dyshimta


Produkt me afat të skaduar, të cilin REL e ka hasur në dyqanin Super Viva në Fushë Kosovë.
Produkt me afat të skaduar, të cilin REL e ka hasur në dyqanin Super Viva në Fushë Kosovë.

Vetëm brenda këtij viti, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) ka asgjësuar mbi 300 mijë produkte të dyshimta të cilat janë gjetur në tregun e brendshëm të Kosovës.

Zëdhënësi i këtij autoriteti, Lamir Thaqi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nga 300 mijë produkte të asgjësuar, 77 mijë janë produkte me origjinë shtazore, ku hyjnë mishi dhe produktet e tij, qumështi dhe produktet e qumështit, e të tjera.

Po ashtu, janë asgjësuar 230 mijë produkte me origjinë bimore dhe konditori të përziera ku hyjnë perimet e ndryshme, reçel të ndryshëm, biskota dhe produkte të tjera.

Mishi, kryesisht, thotë Thaqi, është produkti që më së shumti haset me cilësi të dyshimtë, e që i njëjti asgjësohet.

“Produktet që janë me afat të skaduar apo nuk janë ruajtur në mënyrë adekuate në markete, inspektorati vendos t'i tërheqë nga tregu dhe të gjitha asgjësohen”, thotë ai.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) është autoriteti më i lartë i cili është edhe përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve, duke siguruar nivel të lartë të sigurisë së ushqimit.

Produktet pa afat, "neglizhencë e punëtorëve"

Në një rast të evidentuar nga Radio Evropa e Lirë në dyqanin ushqimor, Super Viva në Fushë Kosovë, ishte në shitje një produkt afati i të cilit kishte skaduar më 28/10/2020 dhe një tjetër më 20/11/2020.

Të pyetur nga REL, një punëtore në këtë dyqan tha se "mund të jetë neglizhencë e ndonjë punëtori që nuk e ka kontrolluar produktet".

“Nuk ndodh kjo shpesh, kanë bërë shumë ndërrime të punëtorëve, është neglizhencë e punëtorëve. Ai që e ka pasur përgjegjësi këtë raft të marketit nuk e ka kontrolluar”, thotë ajo, derisa largonte produktin nga rafti, pasi u vërtetua që është me afat të skaduar.

Produkt që mban datën e 28 tetorit, i ekspozuar në raftet e dyqanit Super Viva në Fushë Kosovë.
Produkt që mban datën e 28 tetorit, i ekspozuar në raftet e dyqanit Super Viva në Fushë Kosovë.

Në të gjitha këto raste, shton Thaqi, i jepen operatorëve ekonomikë fletëparaqitje për në gjykatë dhe produktet largohen nga tregu dhe asgjësohen, siç thotë ai, për të pamundësuar kthimin në treg të atij produkti.

AUVK-u nuk ka të dhëna se sa mund të jetë numri i këtyre fletëparaqitjeve ndaj operatorëve ekonomikë që i kanë dërguar në gjykatë.

Njëmijë deri në dhjetëmijë euro gjoba

Kosova ka Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.

Gjobat për personin jurdik tregtar që nuk respekton këtë Ligj janë nga njëmijë euro deri dhjetëmijë euro, varësisht nga shkeljet që bën.

Produktet me cilësi të dyshimtë, dukuri shqetësuese

Organizata joqeveritare “Konsumatori” që merret me mbrojtjen e konsumatorit, në vazhdimësi ka paraqitur shqetësime për cilësinë e dyshimtë të produkteve dhe me afat të skaduar në tregun e brendshëm në Kosovë.

Selatin Kaqaniku nga kjo organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka munguar një punë më efektive e mekanizmave në vend, që të bëjnë kontrolle më të shpeshta të dyqaneve ushqimore.

“Hasja në produkte - artikuj me afat të skaduar është shqetësuese. Në këto rrethana duhet të veprojmë së bashku. Për të tejkaluar këtë, shteti duhet që nëpërmes mekanizmave të edukojë konsumatorin, që pastaj ai të jetë më i kujdesshëm në blerjen e produkteve”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Departamentin për mbrojtjen e Konsumatorit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për të marrë përgjigje rreth numrit të ankesave të konsumatorëve, por nga ky departament nuk janë përgjigjur.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG