Ndërlidhjet

Giuliani thotë se "ndjehet mirë" pas diagnostikimit me COVID-19


Rudy Giuliani
Rudy Giuliani

Rudy Giuliani, avokati personal i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se “ndjehet mirë” dhe falënderoi miqtë për “lutjet dhe urimet e mira”.

Giuliani u diagnostikua të dielën me sëmundjen COVID-19.

Në postimin e tij në Twitter, ai nuk i konfirmoi raportet e mediave amerikane se është shtruar në spital, por tha se “po merr kujdes të mirë”.

Giuliani, 76 vjeç, ka udhëhequr sfidat ligjore të presidentit Trump, kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, që ka nxjerrë fitues kandidatin demokrat, Joe Biden.

Giuliani ka udhëtuar në shtetet kyçe, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në gjithë SHBA-në.

Në disa ngjarje, ai është shfaqur pa maskë në fytyrë, duke bërë akuza për mashtrime në zgjedhje, edhe pse nuk ka sjellë asnjë provë.

Ekipi ligjor i Trumpit tha përmes një deklarate se Giuliani ka dalë negativ në testin për koronavirus dy herë para udhëtimeve të tij në Arizona, Miçigen dhe Xhorxhia.

Në deklaratë po ashtu thuhet se anëtarët e tjerë të ekipit ligjor, që kanë pasur kontakte të afërta me Giulianin, do t’i ndjekin urdhrat e mjekëve të tyre dhe udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për vetizolim dhe testim.

Gati të gjitha paditë e ngritura nga ekipi i Trumpit për rezultatin e zgjedhjeve, janë hedhur poshtë nga gjykatësit.

Shumica e shteteve i kanë certifikuar rezultatet e tyre, ndërsa zyrtarët shtetërorë dhe federalë në të gjithë vendin kanë përsëritur vazhdimisht se nuk janë gjetur prova të mashtrimit.

Trump dhe shumë prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë i kanë kundërshtuar këshillat e zyrtarëve të shëndetit publik për të mbajtur maska dhe për të shmangur turmat, në përpjekje për të ndaluar transmetimin e sëmundjes së frymëmarrjes, COVID-19.

Disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë, anëtarë të familjes Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë infektuar me koronavirus.

Vetë presidenti Trump ka kaluar tre net në spital, në muajin tetor, pasi është diagnostikuar me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG