Ndërlidhjet

Trusti bën të ditur mënyrën e aplikimit për tërheqje të kursimeve


Ilustrim.
Ilustrim.

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka bërë të ditur të premten mënyrën e aplikimit për tërheqjen e 10 për qind të kontributeve personale, pas miratimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në Kuvendin e Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, ky institucion ka thënë se procesi i aplikimit për tërheqje të këtyre mjeteve do të bëhet pas publikimit të ligjit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Të gjithë kontribuuesit do të mund të aplikojnë vetëm përmes internetit, nga një ueb-faqe e veçantë, si dhe aplikimi mund të bëhet vetëm me llogari aktive personale dhe jo të ndonjë familjari tjetër.

Aplikimi, po ashtu, është thënë se nuk mund të bëhet me llogari bankare jashtë shtetit apo me llogari bankare të biznesit.

Përndryshe, projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që mundëson tërheqjen e këtyre mjeteve, të premten është miratuar në lexim të dytë në Kuvend me 72 vota për dhe asnjë kundër

Ky projektligj, i cili shndërrohet në ligj pas dekretimit nga ana e presidentit të Kosovës, do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se Ligji për rimëkëmbje ekonomike krijon një momentum të ri në Kosovë.

“Jemi plotësisht të përgatitur që të fillojmë zbatimin e këtij ligji menjëherë, pasi që janë bërë përgatitjet nëpër ministri përkatëse, në Trustin e Kursimeve Pensionale, në mënyrë që para vitit të ri, pjesa më e madhe e këtyre fondeve të futen në ekonomi dhe buxhetin e familjes, me shpresë që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm të shpërndajmë këtë pjesë dhe të kthehemi në normalitet në mesin e vitit të ardhshëm”, tha Hoti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG