Ndërlidhjet

Banorët e Krushës, të indinjuar me uljen e dënimit ndaj Tasiqit 


Pamje nga protesta e së enjtes.
Pamje nga protesta e së enjtes.

Familjarë të personave të vrarë e të zhdukur nga Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël, por edhe banorë nga fshatra tjerë kanë protestuar të enjten para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.

Kjo protestë është zhvilluar pas përgjysmimit të dënimit ndaj Darko Tasiqit, njërit nga personat e dënuar për krime të luftës në Kosovë.

Gjykata e Apelit në Kosovë, ka njoftuar të martën se e ka miratuar pjesshëm ankesën e të akuzuarit Darko Tasiq, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit të datës 22 qershor 2020, sipas të cilit ai është dënuar me 22 vjet burgim me akuzat për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare.

Për pasojë, dënimi ndaj Tasiqit është ndryshuar nga 22 në 11 vjet burgim, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.

Protestuesit kanë thënë se ulja e dënimit është e papranueshme dhe veprim fyes nga ana e sistemit të drejtësisë.

Shpresa Shehu, përfaqësuese e fshatit Krusha e Vogël, tha se përveç vuajtjeve që kanë banorët, ata tash kanë edhe një brengë tjetër me vendimet e fundit nga gjykata.

"Është bërë padrejtësia më e madhe që ju ka përgjysmuar dënimi kriminelit Darko Tasiq. Ne jemi të indinjuar, jemi të shqetësuar e të mërzitur. Ai e ka pasur dënimin jo të mjaftueshëm me aq sa krime ka bërë në fshatin tonë dhe fshatrat e tjerë përreth", tha Shehu.

Disa nga përfaqësuesit e këshillit organizativ të protestës kanë hyrë në një takim me përfaqësuesit e Gjykatës së Apelit për të marrë shpjegime për uljen e dënimit.

Apeli pas protestave: Gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar dënim përtej maksimumit të dënimit të paraparë me ligj

Gjykata e Apelit ka bërë sqarim lidhur me rastin, duke thënë se e ndjen të nevojshëm reagimin, pas protestave të së enjtes.

Ajo ka thënë se Tasiq ngarkohej nga Prokuroria Speciale për dy vepra penale krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 i Ligjit Penal të Jugosllavisë (LPJ) dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), neni 152.

“Vepra e parë të akuzuarin e ngarkonte për plaçkitjen e sendeve të luajtshme. Vepra e dytë e ngarkonte për përdhosjen e kufomave që kategorizohet si veprim kundër dinjitetit njerëzor, e cila kategorizohet vetëm si veprim në protokollin 2 të Konventës së Gjenevës, por nuk parashihet si vepër e veçantë në kuadër të nenit 142 të LPJ, prandaj nuk mund të qëndroj si vepër e veçantë”, është thënë në reagimin e Gjykatës.

Sipas saj, dënimi maksinal i paraparë me ligj është 20 vjet, sipas ligjit penal të Jugosllavisë, meqë ai ligj ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe si i tillë edhe sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet zbatuar si ligj që është më i favorshëm për të akuzuarin.

“Në rastin konkret gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar dënim përtej maksimumit të dënimit të paraparë me ligj, ndërsa në anën tjetër prokuroria nuk ka të drejtë as kushtetuese e as ligjore që të ngarkojë dikë me akuzë sipas ligjit më të pafavorshëm për të”, është thënë mes tjerash në reagim.

Mes tjerash, Gjykata ka thënë se Tasiq nuk ka qenë i ngarkuar për vrasje, rrahje apo torturë tjetër ndaj popullsisë civile.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 1 dhjetor është thënë se vendimi paraprak i gjykatës në Prizren është ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe vendimit mbi dënim.

Më 22 qershor të këtij viti, Tasiq është shpallur fajtor për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Prizren Tasiq ishte shpallur fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ata dhe duke i hedhur në Lumin Drin.

Tasiq ishte shpallur fajtor edhe për akuzën që thotë se në mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Republikës Federative të Jugosllavisë, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, Tasiq ka marrë pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Darko Tasiq pati mohuar fajësinë dhe është mbrojtur në heshtje.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99, në Kosovë janë vrarë më shumë se 13,500 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG