Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, ka bërë të ditur se kanë marrë njoftimin nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar, për hapjen e kontestit me investitorin Contour Global.
“Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Në njoftim thuhet se, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit kanë marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 pati arritur marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat.
Termocentrali "Kosova e Re" ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023 dhe ndërtimi i tij do të kushtonte 1.3 miliard euro.
Por, kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e termocentralit, më 17 mars të këtij viti ka njoftuar se është tërhequr nga plani për ndërtimin e termocentralit.
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, pati deklaruar në nëntor të vitit 2019 se nëse zvarritjet e kontratës me Contour Global shkaktohen nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ‘Contour Global’ një vlerë prej 19.7 milionë eurosh.
Ndërsa, sipas Lluka, nëse Kosova i përfundon obligimet, por ‘Contour Global’ nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.