Ndërlidhjet

Ushtria e Etiopisë pretendon se ka avancuar në rajonin Tigray


Banorët e rajonit Tigray, të zhvendosur pas luftimeve.
Banorët e rajonit Tigray, të zhvendosur pas luftimeve.

Ushtria e Etiopisë pretendon se ka fituar kontrollin e disa qytezave në rajonin Tigray.

Ushtria është përfshirë në konflikt me Frontin Çlirimtar Popullor për javë të tëra.

Gjeneral-lejtnant Hassan Ibrahim ka thënë se ushtria ka pushtuar qytetin Wikro dhe disa qyteza tjera.

Ky njoftim vjen një ditë pasi qeveria ka thënë se është në fillim të “fazës përfundimtare” të një ofensive në rajon.

Qindra persona janë raportuar të vdekur dhe mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre teksa forcat etiopiase kanë pushtuar qytezat.

Detajet e luftimeve janë vështirë të konfirmueshme sepse të gjith llojet e komunikimit janë pamundësuar në rajonin Tigray.

Në një takim të premten, kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed u ka thënë të dërguarve afrikanë për paqe se civilët në këtë rajon duhet të mbrohen.

Megjithatë, ai nuk ka përmendur bisedimet potenciale për t’iu dhënë fund luftimeve si dhe të dërguarit e posaçëm nuk janë lejuar të vizitojnë rajonin Tigray.

Praprakisht, kryeministri ka thënë se do të tentojë të mos dëmtojë civilët në Mekelle, kryeqytetin e rajonit Tigray, që banohet nga 500,000 persona.

Partia Fronti Çlirimtar Popullor, që kontrollon Mekellen, është zotuar se do të vazhdojë luftimet.

Kombet e Bashkuara kanë parajmëruar për krime të mundshme lufte nëse ushtria e Etiopisë sulmon Mekellen.

OKB-ja po ashtu ka shprehur shqetësim edhe për mungesë të qasjes në këtë rajon për punëtorët humanitarë.

Pse po zhvillohen luftimet?

Konflikti ka bazën në tensionet afatgjata në mes të Frontit Çlirimtar Popullor, parti e fuqishme rajonale, dhe Qeverisë qendrore të Etiopisë.

Kur Abiy kishte shtyrë zgjedhjet kombëtare për shkak të koronavirusit në muajin qershor, marrëdhëniet ishin përkeqësuar.

Fronti Çlirimtar Popullor ka thënë se mandati i qeverisë qendrore ka skaduar dhe se Abiy nuk është testuar në zgjedhjet kombëtare.

Në muajin shtator, kjo parti ka mbajtur zgjedhjet e veta, të cilat qeveria qendrore i ka konsideruar “joligjore”.

Më pas, më 4 nëntor, kryeministri i Etiopisë ka njoftuar për operacion kundër Frontit Çlirimtar Popullor, duke e akuzuar forcat e saj për sulme kundër selisë së ushtrisë në Mekelle.

Fronti Çlirimtar Popullor ka refuzuar këto pretendime.

Trupat e saj, që përbëhen nga njësitet paraushtarake dhe milicia lokale kanë rreth 250,000 anëtarë.

Analistët besojnë se konflikti mund të jetë i gjatë dhe i përgjakshëm, marrë parasysh fuqinë e forcave të rajonit Tigray.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG