Ndërlidhjet

Lukashenka thotë se do të largohet nga posti kur të miratohet kushtetuta e re


Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, gjatë takimit me punëtorët shëndetësorë në Minsk.
Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, gjatë takimit me punëtorët shëndetësorë në Minsk.

Alyaksandr Lukashenka, i cili ka drejtuar Bjellorusinë për 26 vjet, ka thënë se do të largohej nga pozita e tij, pasi të miratohet një kushtetutë e re, citon agjencia e lajmeve në Bjellorusi, Belta.

“Unë nuk do të jem president me kushtetutën e re”, tha Lukasheka të premten, gjatë një vizite në një spital në Minsk.

Ai nuk ka treguar se kur do të ishte ajo ditë, por ka theksuar nevojën për ndryshime kushtetuese që do të rregullonin kompetencat e presidentit.

Edhe në të kaluarën, Lukashenka ka përmendur mundësinë e ndryshimeve në kushtetutë, por opozita ka hedhur poshtë komentet e tij, si një përpjekje për të blerë kohë dhe për të qëndruar në pushtet në kohën kur po përballet me protestuesit që janë kundër qeverisë.

Bjellorusia po përballet me protesta që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, që i mundësuan Lukashenkës një mandate të gjashtë, mes akuzave për mashtrim.

Sipas protestuesve, kandidatja e opozitës Svyatlana Tsikhanouskaya, është fituese e vërtetë e zgjedhjeve.

Përpara zgjedhjeve të gushtit, Tsikhanouskaya kishte thënë se nëse zgjidhet presidente, ajo do të organizonte një referendum për të rikthyer kushtetutën e vitit 1994, që kufizonte kompetencat e presidentit.

Lukashenka ka thënë vazhdimisht se nuk ka në plan të tërhiqet.

Në fillim të muajit nëntor, Lukashenka përsëriti se ai nuk kishte ndërmend t'ia dorëzonte pushtetin askujt.

“Kushdo që zgjidhet nga populli duhet të qëndrojë [në pushtet]”, tha ai në 13 nëntor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë refuzuar të njohin Lukashenka si udhëheqësin legjitim të Bjellorusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG