Ndërlidhjet

Mickovski: Zaev të dorëhiqet, liri për popullin


 Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickovski.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickovski.

VMRO DPMNE-ja, partia kryesore e opozitës në Maqedoninë e Veriut ka protestuar para qeverisë lidhur me deklarimet e kryeministrit Zoran Zaev se “bullgarët nuk kanë qenë fashistë” dhe se “nuk mohojnë të drejtën e vet përcaktimit të maqedonasve”.

"Tani është koha të ngremë kokën dhe t'i lëmë maqedonasit të luftojnë për drejtësinë e tyre. Ajo që Zoran Zaev po i bën Maqedonisë së Veriut është e turpshme. Mashtrimi i tij është i turpshëm. Zaev nuk është Maqedoni. Ju tani duhet të jeni më të zëshëm dhe ta kundërshtoni. Zaevi të dorëhiqet, liri për popullin”, i është drejtuar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickovski, masës së tubuar të enjten në mbrëmje para ndërtesës së qeverisë në Shkup.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, tha se “Zaev duhet të kërkojë falje publike për ofendimet ndaj qytetarëve, paraardhësve dhe heronjve maqedonas ".

Ai tha se opozita nuk është kundër fqinjësisë me Bullgarinë apo me shtetet tjera, por fqinjësia, sipas tij, nuk duhet të ndërtohet në kurriz të popujve tjerë.

"Ne jemi për miqësi me fqinjët, për bashkëpunim, por jo miqësi duke i përulur tjetrit shtyllën. Miqësi do të thotë t’i zgjasni dorën njëri-tjetrin, të shikoni njëri-tjetrin dhe të ndihmoni njëri-tjetrin. As bullgarët nuk përfitojnë nga poshtërimi. Dhemb sidomos kur poshtërimi vjen nga familja juaj”, ka deklaruar lideri opozitar, Hristijan Mickovski,

Kundër tubimit të opozitës përmes një komunikate ka reaguar LSDM-ja që drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev.

“Histeria e VMRO-së anti-evropiane ka mbaruar, qytetarët i kanë treguar (në zgjedhje) Mickoskit se duan një të ardhme”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Ndërkohë, ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në një deklaratë për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE sërish ka folur për ngjashmëritë mes bullgarishtes dhe maqedonishtes, duke i bërë një paralele me gjuhën spanjolle që flitet në Amerikën Latine.

“Fakti që argjentinasit dhe kilianët flasin spanjisht nuk i bën ata më pak argjentinas dhe kilianë. Fakti që në një moment ata kanë një histori të përbashkët nuk e zvogëlon sovranitetin e tyre sot. Përkundrazi, kjo i afron ata”, ka deklaruar Zafarieva.

Ajo tha se Bullgaria kurrë nuk e ka mohuar të drejtën e ekzistimit të shtetit maqedonas, as sovranitetin dhe dëshirën e saj për ta quajtur gjuhën si të dojë, por e gjithë kjo, theksoi ajo, nuk duhet të bazohet në “gënjeshtra dhe mohime për mënyrën e krijimit të kombit”.

Përplasjet ndërmjet Sofjes dhe Shkupit kanë nisur pasi Bullgaria bllokoi nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG