Ndërlidhjet

OKB-ja shpreh shqetësim për krime lufte në konfliktin e Etiopisë


Pjesëtar të një milicie nisen për në Sanja, për t’u përballur me Frontin Çlirimtar Popullor në Tigray.
Pjesëtar të një milicie nisen për në Sanja, për t’u përballur me Frontin Çlirimtar Popullor në Tigray.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për krime të mundshme të luftës, pas kërcënimit të Ushtrisë së Etiopisë për të nisur sulm në kryeqytetin e rajonit verior Tigray.

Afati i fundit i vendosur nga qeveria për luftëtarët e rajonit për t’u dorëzuar do të skadojë të mërkurën.

Luftimet në mes të qeverisë dhe forcave rajonale në Tigray kanë vazhduar për gati tri javë.

Qindra persona janë raportuar të vrarë dhe dhjetëra mijëra kanë ikur.

Grupet e ndihmës frikësohen se konflikti mund të nxisë krizë humanitare dhe mund të destabilizojë Afrikën Lindore.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë alarmuar nga kërcënimi për armiqësi të mëdha nëse Ushtria e Etiopisë avancon në kryeqytetin Mekelle të rajonit Tigray, i cili banohet nga 500,000 persona.

Megjithatë, një takim i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën, për të diskutuar luftimet në Tigray, ka përfunduar pa ndonjë deklaratë, bazuar në raportimet e agjencisë së lajmeve AFP.

Shtetet afrikane është raportuar të kenë kërkuar më shumë kohë për të lejuar vazhdimin e përpjekjeve diplomatike të Unionit Afrikan.

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed.
Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed.

Të dielën, kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed ka nisur një ultimatum 72-orësh për forcat Tigray, duke iu thënë që të dorëzohen, sepse janë në “pikë që nuk ka kthim”.

Mirëpo forcat e rajonit Tigray janë zotuar se do të vazhdojnë luftimet, derisa lideri i tyre Debretsion Gebremichael ka thënë se “janë të gatshëm të vdesin për të mbrojtur të drejtën tonë për ta udhëhequr rajonin”.

Ndërkohë, Komisioni për të Drejta të Njeriut, i emëruar nga shteti i Etiopisë ka akuzuar një grup të rinjsh nga rajoni Tigray, duke thënë se qëndrojnë mbrapa masakrës së këtij muaji, në të cilën kanë vdekur më shumë se 600 civilë.

Ky Komision ka thënë se grupi ka therur dhe djegur banorët e qytezës Mai-Kadra, që nuk kanë qenë pjesë e rajonit Tigray.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amensty International ka vënë në pah e para raportimet për masakër në Mai-Kadra, mirëpo nuk ka arritur të konfirmojë se kush saktësisht ka qenë mbrapa sulmit dhe sa persona kanë vdekur.

Fronti Çlirimtar Popullor, parti politike që kontrollon rajonin Tigray, ka mohuar përfshirjen dhe ka bërë thirrje për hetime të pavarura ndërkombëtare për këto vrasje.

Konflikti ka nisur pasi Qeveria qendrore e Etiopisë ka akuzuar Frontin Çlirimtar Popullor për mbajtje ilegale të zgjedhjeve dhe sulm të bazave ushtarake me qëllim të vjedhjes së armëve.

Si përgjigje, kryeministri Abiy – ish-fituesi i Çmimit Nobel për Paqe – ka urdhëruar një ofensivë ushtarake kundër forcave në Tigray, duke i akuzuar për tradhti.

Fronti Çlirimtar Popullor e konsideron qeverinë qendrore si jolegjitime, duke argumentuar se Abiy nuk ka mandat për të udhëhequr shtetin, pas shtyrjes së zgjedhjeve kombëtare për shkak të koronavirusit.

Çfarë ka thënë OKB-ja?

Michelle Bachelet, Komisionare e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, ka shprehur “alarm për raportimet e ndërtimit të tankeve dhe artilerisë rreth Mekelles”.

Ajo u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të japin “urdhra të qartë për forcat e tyre” që të shpërndajnë civilët.

“Retorika tejet agresive nga të dyja palët, sa u përket luftimeve për Mekellen është tejet provokative dhe rrezikon përballjen e civilëve të frikësuar me një rrezik të madh”, ka thënë Bachelet.

“Frikësohem se kjo retorikë do të rezultojë me shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Retorika është rënduar në ditët e fundit. Të dielën, Ushtria e Etiopisë ka thënë se nuk do të ketë “mëshirë” për banorët e Mekellës kur ushtrat “të rrethojnë” qytetin.

Bachelet ka thënë se diskutime të tilla përbëjnë krime lufte.

Banorët e Tigray, që lanë larguar për shkak të konfliktit, kalojnë me një varkë kufirin ndërmjet Etiopisë dhe Sudanit.
Banorët e Tigray, që lanë larguar për shkak të konfliktit, kalojnë me një varkë kufirin ndërmjet Etiopisë dhe Sudanit.

Abiy ka përsëritur vazhdimisht se Ushtria e Etiopisë do të mbronte civilët në fushatën kundër forcave në Tigray.

Mirëpo Bachelet ka thënë se bllokimi i komunikimeve në Tigray është duke e bërë të vështirë për OKB-në që të monitorojë situatën.

Të paktën 40,000 refugjatë tashmë janë duke kaluar në shtetin fqinj, Sudan.

Agjencia për Refugjatë e OKB-së ka thënë se është duke u përgatitur që rreth 200,000 persona të shpërngulen në gjashtë muajt vijues nëse luftimet vazhdojnë.

Pse po zhvillohen luftimet?

Konflikti ka bazën në tensionet afatgjata në mes të Frontit Çlirimtar Popullor, parti e fuqishme rajonale, dhe Qeverisë qendrore të Etiopisë.

Kur Abiy kishte shtyrë zgjedhjet kombëtare për shkak të koronavirusit në muajin qershor, marrëdhëniet ishin përkeqësuar.

Fronti Çlirimtar Popullor ka thënë se mandati i qeverisë qendrore ka skaduar dhe se Abiy nuk është testuar në zgjedhjet kombëtare.

Në muajin shtator, kjo parti ka mbajtur zgjedhjet e veta, të cilat qeveria qendrore i ka konsideruar “joligjore”.

Më pas, më 4 nëntor, kryeministri i Etiopisë ka njoftuar për operacion kundër Frontit Çlirimtar Popullor, duke e akuzuar forcat e saj për sulme kundër selisë së ushtrisë në Mekelle.

Fronti Çlirimtar Popullor ka refuzuar këto pretendime.

Trupat e saj, që përbën nga njësitet paraushtarake dhe milicia lokale, përbëhen nga rreth 250,000 trupa.

Analistët besojnë se konflikti mund të jetë i gjatë dhe i përgjakshëm, marrë parasysh fuqinë e forcave të rajonit Tigray.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG