Ndërlidhjet

Ekipi i Bidenit shpall emrat e të emëruarve për udhëheqjen e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare


Presidenti i zgjedhur në SHBA, Joe Biden
Presidenti i zgjedhur në SHBA, Joe Biden

Presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden, do të emërojë këshilltarin e tij të vjetër dhe diplomatin veteran, Anthony Blinken, si Sekretar të Shtetit, njoftoi ekipi i tranzicionit, më 23 nëntor.

Blinken, përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se është i nderuar me nominimin.

"Nëse konfirmohet, ky është një mision që do ta marr me gjithë zemër", shkroi Blinken.

Nëse konfirmohet nga Senati, Blinken do të ketë detyrë krijimin e një qasje të re të diplomacisë amerikane dhe bashkëpunimit global, pas katër vjetëve të politikës “Amerika e Para” e presidentit aktual, Donald Trump, e cila është përcjellë me ndasi në institucionet ndërkombëtare dhe përplasje me aleatët dhe konkurrentët.

Në njoftim janë bërë të ditur edhe emra tjerë që do të zënë vend në administratën e ardhshme amerikane.

Njoftimi konfirmoi raportet e shumta në mediat amerikane në lidhje me emërimet.

* Jake Sullivan, një këshilltar i vjetër i Bidenit dhe ish-Sekretares së Shtetit dhe ish-kandidates presidenciale, Hillary Clinton, do të bëhet këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

* Ish-sekretari i Shtetit, John Kerry, do të emërohet i dërguar i posaçëm presidencial për çështjet e klimës dhe do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Pasi të marrë pozitën e presidentit, Biden planifikon të rikthehet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe të kthejë mbrapsht anëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

* Linda Thomas-Greenfield do të bëhet ambasadore në Kombet e Bashkuara dhe Avril Haines do të zërë postin e drejtores së Inteligjencës Kombëtare, duke u bërë gruaja e parë në atë pozitë. Duke reaguar pas njoftimit për nominimin e saj, Thomas-Greenfield tha se “do të punoj për të për të rinovuar marrëdhëniet me aleatët”.

* Alejandro Mayorkas do të emërohet kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, personi i parë me prejardhje latine që udhëheq me këtë pozitë, nga e cila mbikëqyr agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit dhe imigracionit.

Të gjitha pozitat duhet të konfirmohen nga Senati.

Njoftimi vjen derisa Biden vazhdon të vendosë bazat e administratës së tij, pavarësisht përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Me Blinkenin në krye të diplomacisë amerikane, administata Biden do të synojë të shmangë përshkallëzimin e tensioneve me Iranin, të rindërtojë marrëdhëniet me aleatët dhe të menaxhojë marrëdhëniet tejet të tensionuara me Kinën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG