Një korrespodent që punon për Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë, i cili u arrestua në një protestë kundër Alyaksandr Lukashenkas në Minsk fundjavën e kaluar, është burgosur për 10 ditë, thanë të afërmit e tij.
Ihar Karney ishte në mesin e më shumë se 1,200 personave që u arrestuan nga policia më 15 nëntor në të gjithë Bjellorusinë. Protesta antiqeveritare janë mbajtur pothuajse çdo ditë në këtë shtet që kur Lukashenka u shpall fitues i zgjedhjeve të vendit më 9 gusht, pavarësisht akuzave për mashtrim zgjedhor nga opozita dhe vendet perëndimore.
Të paktën 18 gazetarë - përfshirë Karney dhe tre kontribues të tjerë në Shërbimin Bjellorus të Evropës së Lirë -- fotografi Andrey Shaulyuha, kameramani Andrey Rabchyk dhe një montazhere e videove, Yulia Kotskaya -- ishin mes të arrestuarve në Minsk dhe qytete të tjera më 15 nëntor, sipas Shoqatës Bjelloruse të Gazetarëve.
Një gjykatë në Minsk më 17 nëntor e dënoi Shaulyuhan me 15 ditë burg pasi e gjeti fajtor për pjesëmarrje në një tubim, një akuzë që ai e hodhi poshtë, duke thënë se po e mbulonte ngjarjen si reporter.
Më 16 nëntor, Rabchyk u shpall gjithashtu fajtor për pjesëmarrjen në një tubim dhe u dënua me 15 ditë. Rabchyk gjithashtu u deklarua i pafajshëm, duke këmbëngulur se ai po mbulonte tubimin.
Kotskaya u la e lirë më 16 nëntor, por gjithashtu u akuzua për pjesëmarrje në një tubim dhe u thirr në një gjyq të caktuar për 19 nëntor.
Javën e kaluar, një korrespondent shumëvjeçar i Evropës së Lirë në Bjellorusi, Aleh Hruzdzilovich, u dënua me 15 ditë burg me të njëjtën akuzë për mbulimin e një tubimi tjetër masiv kundër Lukashenkas.
Në gusht, Ministria e Jashtme Bjelloruse refuzoi të zgjasë akreditimet e disa korrespondentëve të Evropës së Lirë, duke i detyruar ata të ndërpresin punën e tyre për transmetuesin amerikan.
Sipas Shoqatës Bjelloruse të Gazetarëve, 26 reporterë janë burgosur në Bjellorusi deri më 18 nëntor.