Serbia është duke fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë në varreza masive në Serbi, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Haradinaj-Stublla bëri këto komente pas gjetjes së mbetjeve mortore më 16 nëntor në afërsi të Rashkës në Serbi, të cilat dyshohet se i përkasin viktimave shqiptare nga Kosova.
Në një deklaratë për shtyp ajo ka thënë se autoritetet në Serbi “vazhdojnë të fshehin krimet monstruoze të kryera në Kosovë, duke mos treguar vendndodhjen e mbetjeve mortore të qytetarëve të pafajshëm, të vrarë nga forcat paramilitare serbe, trupat e të cilëve janë fshehur qëllimisht në varrezat masive nëpër Serbi.”
Ajo ka thënë se Beogradi ka qenë në dijeni për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës në vendin e quajtur Kizhevak, afër Rashkës, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të zbardhur këtë krim.
Informacionin mbi zbulimin e mbetjeve mortore në Kizhevak, afër kufirit me Kosovën, fillimisht më 16 nëntor e bëri të ditur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu. Ai konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.
Më tej, këtë lajm e konfirmoi edhe kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, Velko Odalloviq.
Ai shpjegoi se kërkimet në këtë lokalitet kanë nisur që dhjetë ditë, ndërkaq mbetjet e para mortore u gjetën më 16 nëntor.
Ai gjithashtu njoftoi se zyra e prokurorit përkatës dhe gjykatësi do të përcaktojnë dinamikën e të gjitha aktiviteteve dhe masave që duhen ndërmarrë në atë vend.
Odalloviq po ashtu tha se ky lokalitet ishte i njohur për autoritetet që nga viti 2015 dhe se edhe më herët ishin bërë kërkime aty.
“Nuk mund të ketë as dialog e as marrëveshje përfundimtare me një shtet i cili vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë dhe që vazhdon të fsheh gjurmët e gjenocidit”, ka thënë ministrja kosovare për punë të jashtme.