Ndërlidhjet

Punëtorët e Telekomit kërkojnë zhbllokimin e llogarive


Protesta e punëtorëve të Telekomit të Kosovës më 16 nëntor, 2020.
Protesta e punëtorëve të Telekomit të Kosovës më 16 nëntor, 2020.

Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë protestuar para objektit të qeverisë, duke kërkuar zhbllokimin e xhirollogarive të kompanisë. Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se punëtorët kanë hyrë në muajin e dytë pa paga, për shkak të bllokimit të xhirollogarive.

Ai shtoi se nuk do të tërhiqen nga protesta dhe nga kërkesat e tyre, derisa Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, të marrin përgjegjësi për gjendjen e krijuar në këtë kompani.

“Nuk do të tërhiqemi nga protesta derisa qeveria nuk i zhbllokon xhirollogaritë dhe nuk e merr përgjegjësinë për dështimin e Telekomit. Kërkesat tona janë të qarta, zhbllokimi i llogarive dhe pagat e punëtorëve”, tha Balaj.

Punëtorët e Telekomit ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

Këta punëtorë kanë paralajmëruar edhe më herët protesta e greva nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr asnjë hap për të zhbllokuar llogaritë dhe kthimin e mjeteve në llogarinë e Telekomit, të cilat janë bllokuar e tërhequr nga kompania “Dardafon”, kompania amë e Z-Mobile, si pasojë e borxhit ndaj saj.

Ku është problemi me Telekomin?

Një marrëveshje e vitit 2009 me "Dardafon.net LLC" i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.

Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile ka kërkuar numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile.

Kontrata në vazhdimësi është konsideruar si e dëmshme, por si e tillë ka zgjatur deri në korrik të vitit 2019, kur bordi i Telekomit të Kosovës pati marrë vendim për shkëputjen e saj.

Dardafon përmes përmbaruesit i ka bllokuar xhirollogaritë e Telekomit, pasi borxhi kishte arritur vlerën e mbi 25 milionë eurove.

Më 11 nëntor Besnik Krasniqi nga Ministria e Ekonomisë tregon se Z- Mobile, deri më tani ka arritur të marrë 6 milionë euro nga llogaritë e Telekomit. Aktualisht, sipas tij, është duke bërë u bërë përpjekje për të arritur marrëveshje me kompaninë Dardafon.net për kthimin e borxhit.

Telekomi i Kosovës është ndërmarrje publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milionë konsumatorë në nivel vendi. Mbi 2,300 është numri i punonjësve në këtë kompani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG