Ndërlidhjet

Talibanët i kërkojnë Bidenit të respektojë marrëveshjen e paqes


Map - Afghanistan
Map - Afghanistan

Talibanët i bënë thirrje presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që të respektojë marrëveshjen e paqes, të arritur në muajin shkurt, midis grupit militant dhe SHBA-së.

Sipas tyre, zbatimi i kësaj marrëveshjeje është “mjeti më i arsyeshëm dhe më efektiv” për t’i dhënë fund luftës në Afganistan.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, talibanët thanë se mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të saj, edhe pse, një ditë më herët, nënpresidenti afgan, Sarwar Danesh, i fajësoi ata për mungesën e përparimit në negociatat e vazhdueshme midis afganëve, në Doha të Katarit.

Talibanët janë “pengesa kryesore” për përparim në bisedimet me përfaqësuesit e Qeverisë afgane, tha Danesh, duke shtuar se grupi nuk beson në një zgjidhje paqësore të luftës.

Ai po ashtu tha se administrata e Bidenit duhet të rishikojë procesin e paqes në Afganistan.

Bisedimet midis afganëve, apo midis Qeverisë në Kabul dhe talibanëve, pasojnë një marrëveshje të nënshkruar midis SHBA-së dhe talibanëve në muajin shkurt në Doha.

Me këtë marrëveshje, forcat e huaja do të largohen nga Afganistani deri në maj të vitit 2021, në këmbim të garancive për siguri nga talibanët.

Talibanët po ashtu kanë rënë dakord që të negociojnë një armëpushim të përhershëm dhe një formulë të ndarjes së pushtetit me Qeverinë afgane.

Asnjë përparim nuk është raportuar në Doha qëkur përfaqësuesit e Qeverisë afgane dhe talibanët kanë nisur negociatat në shtator, ndërsa dhuna e militantëve në gjithë Afganistanin ka vazhduar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG