Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të mund të kërkojnë drejtësi në gjykatat e këtij vendi me një kosto shtatë fish më të ulët, pasi gjatë kësaj jave kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Ligjit për Taksa Gjyqësore, që i bie se taksat ulen nga 48 mijë, sa ishte vlera më e larta tani, në 6 mijë denarë.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë mënyrë synohet që çdo qytetar të ketë qasje në kërkimin e drejtësisë kur vlerëson se i është shkelur ndonjë e drejtë, meqë deri më tani kanë qenë të privuar nga kjo e drejtë nga pamundësia financiare.
“Kjo është ulje e konsiderueshme e taksave gjyqësore. Të tjerat, deri në 6 mijë denarë mbeten në kategorizimin e deritanishëm të listës së çmimeve të taksave gjyqësore, kështu që në këtë mënyrë përpiqemi që drejtësinë ta bëjmë me sa më shumë qasje, që shumëkush, shumë njerëz që kanë hequr dorë nga kontestet, ose i kanë ndalur në gjysmë të rrugës, për shkak se nuk kanë mundur ta paguajnë taksën, tani të kenë mundësi që t’i kryejnë kontestet e tyre...”ka theksuar Mariçiq.
Këto ndryshime janë përshëndetur nga organizatat për të drejtat e njeriut ndonëse përfaqësuesit e tyre shtojnë se për të arritur qytetarët deri te realizmi i të drejtave të tyre nevojitet që sistemi gjyqësor të jetë më efikas dhe të mos zvarriten me vite proceset gjyqësore.
“Pra kjo le të jetë një nismë e mbarë, e cila do të stimulojë mekanizmat institucionalë, të cilët do të përmirësojnë dukshëm gjendjen në drejtim të funksionimit të drejtësisë brenda vendit. Kur ne do të kemi shtylla të mirëfillta të sistemit gjyqësor normalisht se lehtësime do të ketë edhe për përditshmërinë tonë si qytetarë sepse atëherë do t`iu besojmë këtyre institucioneve” thotë për Radion Evropa e Lirë, Besa Kadriu, ligjëruese në universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Nga ana tjetër, Bashkim Selmani, ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës thotë për Radion Evropa e Lirë se taksat gjyqësore nuk kanë paraqitur problem aq sa zbatimi i vendimeve gjyqësore, si dhe përfundimi i proceseve gjyqësore në afat të arsyeshëm.
“Ulja e detyrimeve, përkatësisht taksave gjyqësore nuk është mekanizmi i vetëm i cili do t’i ndihmonte qytetarët të arrijnë të realizojnë drejtësinë pasi kemi një varg problemesh që kemi në sistemin gjyqësor. Në shumicën e rasteve gjyqësore nuk ka qenë pengesë bazike pagesa e taksave administrative, por bazike është ajo se një numër i madh i qytetarëve nuk mund të realizojnë të drejtat e tyre sepse, e shihni, një numër i madh i kontesteve në gjykata edhe pasi të marrin epilog gjyqësor sërish nuk gjejnë zbatim në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore”, thotë Selmani.
Edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Të gjithë për një gjykim të drejtë” në publikimin e fundit të titulluar “Rruga e gjatë deri te drejtësia në procedurë të shkurtuar” thonë se dhe proceset e shkurtuara gjyqësore zvarriten në kohë të paarsyeshme ligjore.
Procedura e shkurtuar në praktikë nuk dha rezultatet e pritura në drejtim të përmirësimit të efikasitetit të procedurës, kështu që shpesh rrjedha dhe kohëzgjatja e tyre nuk ndryshojnë aspak nga ajo e procedurave të rregullta, vlerësohet në analizën e koalicionit “Të gjithë për një gjykim të drejtë”.
Ndryshe në Procedurë të shkurtuar, sipas Ligjit për Procedurë Penale në Maqedoninë e Veriut, përfshihen veprat penale për të cilat parashihet dënim me burgim deri në pesë vjet.
Në raportin e Komisionit Evropian janë apostrofuar hapat pozitivë që ka bërë Maqedonia e Veriut në drejtim të miratimit të ligjeve në përputhje me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, megjithëse theksohet se nevojitet shumë punë në vënien në zbatim të këtyre ligjeve, duke potencuar nevojën e realizimit të reformave në drejtim të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe etikës në veprimin e gjykatave dhe prokurorive në këtë shtet.