Ndërlidhjet

Joe Biden, presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara


Profili i Joe Bidenit, presidentit të ardhshëm amerikan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:36 0:00

Profili i Joe Bidenit, presidentit të ardhshëm amerikan

Joe Biden, në deklarimin e tij të parë prej kur është shpallur prej mediave amerikane si fitues i zgjedhjeve presidenciale, ka thënë se është i nderuar që do të udhëheqë Shtetet e Bashkuara.

Mediat amerikane kanë thënë se Biden ka fituar në shtetin e Pensilvanisë, duke tejkaluar shifrën e 270 votave të Kolegjit Elektoral, që nevojiten për ta bërë atë presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Biden ka reaguar shpejt pas lajmit për fitore.

“Amerikë, jam i nderuar që më ke zgjedhur për të udhëhequr shtetin tonë fantastik. Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, mirëpo ta premtoj këtë: Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve - pavarësisht nëse më keni votuar apo jo. Do ta ruaj besimin që më keni dhënë”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Biden do të inaugurohet si presidenti i 46-të në historinë amerikane më 20 janar 2021.

Ai ka mundur presidentin aktual, Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Përmes një deklarate të publikuar nga fushata e tij, Biden ka thënë:

“Jam i nderuar dhe përulem ndaj besimit që populli amerikan ka në mua dhe nën-presidenten e zgjedhur (Kamala) Harris”.

“Ne kohën e pengesave të pashembullta, një numër rekord i amerikanëve kanë votuar. Duke vërtetuar edhe një herë, që demokracia rreth fort në zemrën e Amerikës”.

“Meqë fushata ka përfunduar, është koha të lëmë zemërimin dhe retorikën e ashpër mbrapa nesh dhe të bashkohemi si komb”.

“Është koha që Amerika të bashkohet. Dhe të shërohet”, ka thënë ai.

Festime dhe protesta në SHBA
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Trump, ende nuk ka pranuar humbjen dhe është zotuar se do ta sfidojë rezultatin në gjykatë.

Fitorja në Pensilvani, me 20 vota të Kolegjit Elektoral, i ka dhënë Bidenit të paktën 273 vota, ndërkohë që shtetet si Arizona, Nevada, Xhorxhia dhe Karolina Veriore ende nuk kanë shpallur fituesit.

Disa media amerikane i kanë dhënë Bidenit edhe 11 votat e Arizonas.

Fitorja e Bidenit, 77-vjeçar ka ardhur pas më shumë se tri ditëve të paqartësive, teksa zyrtarët zgjedhorë kanë numëruar votat përmes postës.

Kamala Harris, e cila pritet të bëhet nën-presidentja e parë amerikane me ngjyrë, ka thënë se këto zgjedhje kanë qenë më të rëndësishme sesa fitorja e Bidenit dhe e saj.

“Ka të bëjë me shpirtin e Amerikës dhe gatishmërinë tonë për të luftuar për të. Ne kemi shumë punë përpara nesh. Le të fillojmë”.

Trump është presidenti i parë aktual që humb në procesin e rizgjedhjes, prej kohës së republikanit George H.W. Bush më 1992.

Obama uron Bidenin dhe Harrisin për fitore në zgjedhje

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama ka uruar Joe Bidenin për pozitën e presidentit të ardhshëm amerikan dhe Zonjën e Parë, Jill Biden.

“Po ashtu, nuk do të mund të isha më i lumtur për të uruar Kamala Harrisin dhe Doug Emhoff për zgjedhjen e Kamalas si nën-presidente e jona e ardhshme”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Biden ka shërbyer si nën-president amerikan gjatë udhëheqësisë së Obamas.

Sipas tij, në këto zgjedhje, nën këto kushte që nuk janë përjetuar kurrë më parë, Amerika ka votuar në shifra rekorde.

“Kur të numërohet secila votë, presidenti i zgjedhur Biden dhe nën-presidentja Harris, do të sigurojnë një fitore historike dhe bindëse”.

Sipas tij, amerikanët do të jenë me fat që do të ta kenë Bidenin president, meqë kur ta marrë detyrën, ai do të përballet me sfida që nuk i ka pasur asnjë president ndonjëherë, pandeminë e koronavirusit, ekonomi jo të barabartë ashtu sikurse sistemin e gjyqësorit, demokracinë në rrezik dhe klimën e rrezikuar.

“Unë e di se ai do të bëjë punën me interesat më të mira të secilit amerikan në zemër, pavarësisht a e kanë votuar”, ka thënë mes tjerash Obama.

Përgëzime edhe nga republikanët

Senatori republikan Mitt Romney ka uruar Bidenin dhe Harrisin, duke thënë se ai dhe gruaja e tij Ann, i njohin të dy si njerëz me qëllime të mira dhe me karakter të admirueshëm.

“Ne lutemi që Zoti t’i bekojë ata në ditët dhe vitet në vazhdim”, është shprehur ai.

Liderë botërorë urojnë Bidenin

Presidenti francez, Emmanuel Macron, po ashtu ka uruar Bidenin dhe Harrisin.

“Ne kemi shumë punë për të bërë, për të tejkaluar sfidat e të sotmes. Le të punojmë bashkë”, ka thënë ai po ashtu përmes Twitterit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von del Leyen ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë vende mike dhe aleate.

“Qytetarët tanë kanë lidhjet më të forta. Mezi pres të punoj me presidentin e zgjedhur Biden”.

Fjala e liderëve të Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe nën-presidenten e zgjedhur Kamala Harris për fitoren e tyre në zgjedhjet amerikane të 3 nëntorit.

“Jam e bindur se nën udhëheqësinë tuaj si president amerikan dhe nënpresidente amerikane, demokracia do të lulëzojë në Amerikë dhe në gjithë botën”, ka thënë ajo në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka urur po ashtu presidentin e zgjedhur Biden dhe nën-presidenten e zgjedhur, Harris për fitoren në zgjedhje.

“Mezi pres të fuqizojmë partneritetin tonë të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara dhe të vazhdojnë punën tonë në emër të njerëzve tanë dhe në shërbim të vlerave tona të përbashkëta”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Në platformën e njëjtë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se fitoja e Bidenit është historike dhe se ai është aleat i Kosovës.

“Udhëheqësia juaj është e nevojshme në Amerikë, po aq sa në botë, për të rikthyer besimin në demokraci, sundimin të ligjit dhe dinjitet njerëzor. Mezi pres të forcojmë lidhjet tona”, ka thënë mes tjerash ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është gëzuar fitores së Bidenit dhe ka uruar Harrisin për atë që e ka quajtur “fitore historike”.

“Le të vazhdojmë punën tonë së bashku për të fuqizuar lidhjet strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG