Ndërlidhjet

Ministri i Drejtësisë kërkon pezullimin e dialogut me Serbinë


Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti që është pjesë e koalicionit qeverisës, ka kërkuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, që të pezullohet menjëherë dialogu me Serbinë, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Selim Selimi (AAK) ka thënë në mbledhjen e kabinetit qeveritar, që përveç ndërprerjes së dialogut,”Gjykata Speciale duhet qartë të sqarohet që nuk vepron me prova të konstruktuara nga eksponentët e forcave serbe të sigurisë”.

“Këto aktakuza më shumë se kanë qenë efekt juridik, po prodhojnë efekte politike me qëllim të dobësimit të pozicionit tonë ndërkombëtar, përballë së cilave nuk duhet të qëndrojmë duarkryq”, ka thënë Selimi.

Por, ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, ka ndërhyrë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se duhet të respektojmë parimin e ndarjes së pushteteve.

"Besoj se ministri i Drejtësisë e ka të qartë më shumë se të gjithë këtë çështje. Ne nuk ndërhyjmë dhe nuk komentojmë vendimet e organeve të drejtësisë. Më lejoni të ju them qartë: në Qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe”, ka thënë Hoti.

Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më 5 nëntor, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Ndërkaq, Krasniqi u transferua atje një ditë më parë, më 4 nëntor.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Kryeministri Hoti, tha se këto aktakuza e kanë vënë edhe njëherë shtetin e Kosovës në sprovë.

“Duke uruar që puna e institucioneve të drejtësisë të udhëhiqet vetëm nga profesionalizmi, ne besojmë se mbarimi i këtij procesi do të ri-dëshmojë se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e pastër”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti nuk e ka komentuar kërkesën për pezullimin e dialogut me Serbinë, të cilin ai e udhëheq në emër të Kosovës.

Gjatë këtij viti, dialogu ka rifilluar, mirëpo palët nuk kanë arritur ndonjë përafrim.

Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje ku do të përfshihet njohja e ndërsjellë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG