Ndërlidhjet

Petritsch: Pas sulmit në Vjenë, ardhja e migrantëve në BE edhe më e vështirë


Wolfgang Petritsch: Austria ka bërë shumë për integrimin e migrantëve në shoqërinë e saj
Wolfgang Petritsch: Austria ka bërë shumë për integrimin e migrantëve në shoqërinë e saj

Është e paqartë nëse sulmuesi i vrarë në Vjenë veproi si "ujk i vetmuar”, por si një qytet kozmopolit, ky qytet ofron mundësi të ndryshme, kështu që ka të rinj që u drejtohen ekstremistëve në kërkim të përkatësisë, tha për Radion Evropa e Lirë, Wolfgang Petritsch, një ish-ndërmjetës ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë dhe tani president i Fondit Marshall në Austri.

Sipas tij, Austria ka bërë mjaft për integrimin e migrantëve në shoqërinë e saj, duke përmendur migrantët nga ish-Jugosllavia si një shembull pozitiv.

Petritsch ka shfaqur drojën që pas sulmeve terroriste që ndodhën të hënën në mbrëmje, më 2 nëntor, hyrja e migrantëve në Austri dhe vendet e tjera evropiane do të kufizohet edhe më shumë, ndonëse ata janë shumë të nevojshëm për kontinentin e vjetër.

I dyshuari për sulmin në Vjenë, i panjohur në fshatin Çellopek
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të martën (më 3 nëntor) se, përveç Kujtim Fejzullahit, dy shtetas të tjerë të Maqedonisë së Veriut janë të përfshirë në sulmet në Vjenë, ku të hënën u vranë katër dhe u plagosën 23 njerëz.

Shërbimet austriake mbikëqyrin 100 ekstremistë

Radio Evropa e Lirë: Deri te sulmi ka ardhur pas disa aksioneve të ngjashme të islamikëve në Francë.

Wolfgang Petritsch: Natyrisht, nuk mundemi ende të nxjerrim përfundime, por ekziston përputhja kohore me sulmet terroriste në Francë. Në rastin e Vjenës, mbase bëhet fjalë për imitim të atij modeli. Në Vjenë dhe në Austri, ekziston një grup relativisht i vogël i ekstremistëve dhe simpatizuesve të Al-Kaidas ose Shtetit Islamik.

Shërbimet e sigurisë thonë se po mbikëqyrin aktivitetet e rreth 100 personave të tillë. Kur bëhet fjalë për sulmet e fundit, nuk mund të themi me siguri nëse bëhet fjalë për “ujqër të vetmuar” që veprojnë në mënyrë të pavarur apo janë anëtarë të grupeve ekstremiste.

Sidoqoftë, Vjena është një qytet gjithnjë e më kozmopolit. Ai ishte i tillë edhe në të kaluarën, në kohën e monarkisë së Habsburgëve. Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte në kufirin ku kalonte “Perdja e Hekurt” dhe shërbeu si një lloj rripi mbrojtës, nëse mund të them kështu. Me anëtarësimin e Austrisë në BE dhe rritjen e mundësisë së lëvizjes, janë rritur edhe migrimet e stimuluara nga konfliktet në Afganistan dhe më pas edhe në rajonin e gjerë të Lindjes së Afërt.

Kjo krijoi një situatë të re dhe sfida për Vjenën. Kjo është ana e errët e hapjes së qytetit, i cili gjithnjë e më shumë është internacional. Në të njëjtën kohë, Vjena është ndër qytetet më të organizuara dhe të drejtuara në mënyrën më efikase në botë, e cila ka bërë shumë për integrimin e migrantëve, punësimin dhe kujdesin për fëmijët e tyre.

Orientimi drejt ekstremizmit në kërkim të identitetit

Radio Evropa e Lirë: Që kur filluan sulmet terroriste në Evropë në vitet 2014-2015, Austria ishte relativisht e kursyer në krahasim me Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Belgjikën. Por, disa raporte të shërbimeve të sigurisë sugjeruan që Vjena ishte një qendër e rëndësishme për mbledhjen dhe dërgimin e parave dhe rekrutëve nga Evropa Perëndimore në Irak dhe Siri, derisa atje zgjaste lufta me “Shtetin Islamik”.

Ju përmendët se janë rreth 100 ekstremistë që janë nën vëzhgim. A ekzistojnë të dhëna për këto grupime që veprojnë nën hije?

Wolfgang Petritsch: Nuk kam të dhëna precize për ato grupe, por mendoj që shërbimet e inteligjencës po i vëzhgojnë me vëmendje. Në Vjenë ekziston bashkësia relativisht e madhe e çeçenëve, pjesëtarët e së cilës herë pas here janë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe terroriste. Aty janë edhe grupimet nga Siria, sidomos pas valës së migrantëve në vitin 2015 – diku ndërmjet 40 mijë dhe 60 mijë.

Kur bëhet fjalë për çështjen e së hënës, është interesante që një nga sulmuesit është një 20-vjeçar shqiptar, i cili ka lindur në Vjenë dhe prindërit e të cilit kanë ardhur nga Maqedonia Veriore.

Radio Evropa e Lirë: A ka vepruar si “ujk i vetmuar” apo ishte i lidhur me ndonjë grup?

Wolfgang Petritsch: Do të shohim. Ai është i njohur për policinë për një kohë të gjatë, e cila e ka vëzhguar, sepse ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme. Siç e thatë, në vitet e fundit, ka pasur të rinj që donin të shkonin në luftë në Siri, dhe madje edhe tani, edhe pse Shteti Islamik është mundur dhe shtypur atje.

Vjena është një nga qytetet më të mëdha të banuara nga qytetarë nga ish-Jugosllavia, me origjinë të ndryshme fetare dhe të tjera - myslimanë, katolikë, ortodoksë - të cilët janë integruar me sukses. Sidoqoftë, qyteti me më shumë se dy milionë banorë ofron mundësi të ndryshme, kështu që ka të rinj, të cilët në kërkim të përkatësisë së tyre, u drejtohen grupeve ekstremiste.

Mbyllja e xhamive të caktuara në Vjenë, në të kaluarën

Radio Evropa e Lirë: Po flasim për ekstremistë që veprojnë, por po e përsëris pyetjen për grupet që tërheqin penjtë nga prapavija. Disa janë të lidhura edhe me xhami të caktuara që drejtohen nga imamë radikalë. Në atë kontekst, përmendet ideologjia e Vëllazërisë Myslimane, e cila nuk është e dhunshme sikurse në rastin e Shtetit Islamik dhe Al-Kaidës, por megjithatë është radikale.

Wolfgang Petritsch: Në të kaluarën jo të largët ka pasur ka pasur aksione të policisë në xhami dhe shtëpi të caktuara, ku bëheshin lutjet, për të cilat dyshohej se mblidhnin ekstremistët. Por, me sa di unë, nuk është gjetur shumë. Disa nga ato qendra u mbyllën një ose dy vjet më parë, por ndërkohë ato u hapën, sepse padyshim nuk kishte prova thelbësore kundër tyre. Sidoqoftë, ekziston shqetësim i madh dhe autoritetet po përpiqen që, për shembull, të kenë njohuri për arsimimin e imamëve.

Të djathtët e bëjnë të vështirë integrimin e migrantëve

Radio Evropa e Lirë: Ministrja austriake për Integrim, Susan Rab, ka deklaruar se qëllimi i iniciativës për regjistrimin dhe kontrollin e grupeve islamike, e nisur në korrik, ishte “që të ndahej, gjegjësisht, që të bëhej dallimi ndërmjet islamit si fe dhe islamit politik, si një ideologji e rrezikshme”.

Siç thatë ju, Vjena është shtëpia e shumë komuniteteve të migrantëve, jo vetëm myslimanë, por edhe të tjerë, shumë prej të cilëve janë nga Ballkani. Deri në çfarë mase ata janë vërtet të integruar dhe të barabartë me austriakët?

Wolfgang Petritsch: Austria me të vërtetë po bën një betejë të vështirë me çështjen e integrimit, sepse këtu ekziston opsioni politik i fortë i krahut të djathtë, duke përfshirë edhe grupe ekstremiste ultra të djathta që kanë orientim anti-islamik dhe racist. Partia e Lirisë, si njëra prej tyre, për një kohë madje ishte pjesë e qeverisë.

Por, shumica në Austri, përveç ruajtjes së rendit dhe qetësisë, duan që të afrohen dhe t’i integrojnë njerëzit që erdhën të jetojnë aty. Ne kemi nevojë për ta dhe ky është një paradoks, në të gjithë Evropën. Nga njëra anë, migrimet janë të nevojshme dhe nga ana tjetër, ekziston frika për sigurinë dhe që ardhja e të tjerëve do të ndryshojë karakterin e shoqërisë sonë. Pra, kjo është një sfidë e madhe në shekullin 21, me të cilën po përballet edhe Vjena.

Austriakët të tronditur nga sulmi në Vjenë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

Konflikti ndërmjet turqve dhe kurdëve në Vjenë

Ndërkohë, shqetësimi më i madh është për shkak të veprimeve të grupeve të caktuara ekstremiste brenda komunitetit turk, si më i madhi në Austri, krahasuar me të tjerët që erdhën nga Lindja e Afërt dhe pjesë të tjera të botës. Ky komunitet është i përqendruar në një pjesë të Vjenës dhe në dy muajt e fundit ka pasur disa demonstrata, si dhe përplasje midis turqve dhe kurdëve. Prandaj, shumë njerëz janë të shqetësuar dhe kritikojnë që Vjena është bërë një skenë e qërimit të hesapeve brenda komunitetit turk.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, kjo nuk është domosdo e lidhur me terrorizmin islamik.

Wolfgang Petritsch: Nuk është domosdo e lidhur dhe prandaj mund të shihni se sa e komplikuar është kjo çështje, si dhe shumëdimensionale. Ne në Evropë jemi akoma në fazën, në të cilën po përpiqemi të kuptojmë se çfarë po ndodh dhe si të gjejmë një mënyrë për t’i përballuar sfidat e përmendura. Ata janë, gjithashtu, pjesë e një beteje më të gjerë të madhe politike midis politikës së djathtë dhe asaj të moderuar në kontinentin e vjetër.

Papunësia gjatë pandemisë e rrit ndjenjën e dëshpërimit

Radio Evropa e Lirë: Përveç mundësisë që sulmuesit në Vjenë, si dhe në Francë, kanë vepruar si “ujqër të vetmuar” të frymëzuar nga ideologjia e Shtetit Islamik, cili është probabiliteti që ky grup ekstremist, pas disfatave në fushën e betejës në Siri dhe Irak, të jetë tërhequr në një pozitë rezervë dhe tani po përpiqet të veprojë, për shembull, në Evropë?

Wolfgang Petritsch: Të shpresojmë që në ditët në vijim do të zbulojmë sfondin e këtyre sulmeve, gjë që është shumë me rëndësi. Për çdo rast, kjo e prek të gjithë Bashkimin Evropian dhe për këtë arsye është i rëndësishëm bashkëpunimi edhe më i mirë brenda tij, në mënyrë që të reagojmë së bashku ndaj këtij kërcënimi. Unë besoj fort se integrimi shoqëror është mënyra më e mirë.

Kjo është arsyeja pse, për shembull, është e rëndësishme të gjesh një zgjidhje për të rinjtë që kanë humbur punën gjatë pandemisë së koronavirusit, sepse tani shkalla e papunësisë është më e larta që nga viti 1945. Gjithashtu, shkollat janë të mbyllura dhe ky është veçanërisht një problem në familjet, në të cilat prindërit nuk mund t’i mësojnë fëmijët në vend të mësuesve.

Kjo është një sfidë shtesë në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Është shqetësuese që në mes të një pandemie kemi edhe sulme terroriste. Në shikim të parë, nuk janë të lidhur me njëra me tjetrën, por te qytetarët rrisin ndjenjën e vështirësive, me të cilat po përballen.

Migrantët, të nevojshëm për Evropën

Radio Evropa e Lirë: A janë sfidat që ju përmendni arsye pse vendet evropiane kanë qenë shumë kufizuese ndaj valës së migrantëve që nga viti 2015, ndërkaq që shumë prej tyre janë mbërthyer në Ballkanin Perëndimor?

Wolfgang Petritsch: Absolutisht. Kjo është rrethanë fatkeqe, sepse kriza ekonomike në Ballkan nuk do të kalojë shumë shpejt. Në të njëjtën kohë, Evropës i nevojiten migrantët ekonomikë, hyrja e ligjshme e të cilëve në shumë vende anëtare është ndalur në thelb. Pra, me këtë është përkeqësuar kriza në vendet e Ballkanit. Në të njëjtën kohë, ata migrantë, të cilët më vonë arritën të vijnë në Austri, kanë gjasa të pakta që të gjejnë punë. Pra, ky është një gërshetim mjaft i keq i rrethanave që po përshpejtohen.

Pasoja të dëmshme për shoqërinë liberale

Radio Evropa e Lirë: A do të duhej që Austria dhe vendet tjera evropiane të liberalizojnë hyrjen e migrantëve që tani janë të bllokuar?

Wolfgang Petritsch: Kam frikë se pas këtyre sulmeve terroriste, ardhja e migrantëve në Austri dhe Vjenë do të kufizohet edhe më shumë. Është një rrethanë fatkeqe dhe unë nuk e mbështes një qasje të tillë, por e kuptoj nevojën që autoritetet, në këtë mënyrë, të zvogëlojnë frikën e qytetarëve austriakë.

Miqtë e mi dhe njerëzit e tjerë, me të cilët kam folur, janë tronditur nga ajo që ka ndodhur të hënën dhe kanë frikë nga pasojat. Kam frikë se këto pasoja nuk do të jenë të mira për një shoqëri liberale.

Vjena, një ditë pas sulmeve terroriste
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

Evropa në tundimet më të mëdha nga të gjitha kontinentet

Radio Evropa e Lirë: Presidenti francez, Emannuel Macron, ka thënë se vendi i tij do të qëndrojë këmbëngulës në vlerat laike, përfshirë të drejtën për të shfaqur karikatura të profetit Muhamed, gjë që ashpërsoi mjaft njerëz në botën myslimane, duke përfshirë edhe politikanët udhëheqës, të tillë si presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili ndër të tjera, bëri thirrje për bojkotim të prodhimeve franceze.

A do të çojë kjo deri te një tendosje në marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe vendeve që e mbështesin atë me pjesë e botës myslimane, deri në nivelin pas të cilit nuk do të jetë e lehtë për t’i ulur tensionet?

Wolfgang Petritsch: Franca është një mbështetëse e fortë e sekularizmit dhe kjo është pjesë e identitetit të saj historik, gjë që nxiti reagim të ashpër të fondamentalistët në botën myslimane. Kur bëhet fjalë për Turqinë, ajo ka një nga rolet kyçe për sigurinë e Evropës, duke pasur parasysh afërsinë e saj gjeografike.

Gjegjësisht, Evropa është e rrethuar me një hark të madh të konflikteve - nga Lindja e Afërt, përmes Afganistanit deri në Rusi - dhe i vuan pasojat e tyre si asnjë kontinent tjetër. Kjo do të thotë që nëse anëtarët e BE-së nuk veprojnë së bashku në aspektin e integrimit të të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht duke vlerësuar vlerat e veta, të cilat janë thelbësore për unitetin dhe identitetin e saj - atëherë na pret një kohë e vështirë. Në të njëjtën kohë, polarizimi i marrëdhënieve midis BE-së dhe vendeve myslimane nuk është në favor të askujt.

Qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, të integruarit më të mirë në Austri

Radio Evropa e Lirë: Deri në çfarë mase është BE-ja, veçanërisht Franca, përgjegjëse për këtë radikalizim? Gjegjësisht, në botën myslimane, shpesh theksohet se Franca ishte një fuqi koloniale, sundimi i së cilës i bëri të varfra vendet nga të cilat vijnë migrantët. Në të njëjtën kohë, ata theksojnë se shkalla e papunësisë në Francë është shumë më e lartë në mesin e anëtarëve të komuniteteve pakicë sesa në mesin e pjesës tjetër të popullsisë, gjë që shkakton pakënaqësi, të cilën e përdorin ekstremistët.

Wolfgang Petritsch: Përfundimisht. Franca po ballafaqohet me sfida shumë më të mëdha sesa Austria. Marrë parasysh që dikur ishte fuqi koloniale, në të kanë ardhur njerëz nga anë të ndryshme, përfshirë edhe nga Algjeria. Situata në Austri është më e thjeshtë, por edhe ne jemi, të themi, në vijën e parë të frontit dhe nuk mund të izolohemi.

Por, kur bëhet fjalë për të kaluarën koloniale të Austrisë, është interesante që njerëzit që kanë ardhur nga Bosnjë e Hercegovina, ku dikur sundonte Vjena, janë integruar më mirë se të gjitha bashkësitë nga ish-Jugosllavia. Kjo tregon se sa është e rëndësishme që të ndërmerren hapat e duhur. Në Austri, gjatë viteve 1990, ishin të mirëseardhur shumë refugjatë nga ish-Jugosllavia dhe ndërkohë ata janë integruar mirë.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, ndonëse shumë klerikë të shquar islamikë dhe njerëz të tjerë të njohur e kanë dënuar prerjen e kokës së mësuesit francez, shumë besojnë që shumica e anëtarëve të komuniteteve myslimane që jetojnë në Evropë nuk e kanë kritikuar zëshëm këtë krim dhe krimet e ngjashme, për shembull, që të dalin në rrugë, në shenjë solidariteti me viktimat. Mbase bëhet fjalë për frikën nga ekstremistët.

Wolfgang Petritsch: Pajtohem. Me rëndësi të veçantë është puna me institucionet dhe organizatat myslimane, në mënyrë që të fokusohemi në të ardhmen. Kjo duket se po bëhet në Austri, edhe pse për mendimin tim është ende e pamjaftueshme.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG