Ndërlidhjet

Sekreti i financimit të partive politike


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Rreth 3. 7 milionë euro kanë shpenzuar gjashtë subjektet më të mëdha politike në Kosovë gjatë vitit të kaluar. Bëhet fjalë për Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, (LDK), Partinë Demokratike të Kosovës, (PDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Nismën Socialdemokrate dhe Listën Serbe.

Kështu së paku thuhet në raportet e tyre financiare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në bazë të raportit, PDK-ja ka shpenzuar më shumë se 1.3 milion euro, pasuar nga LDK-ja me 1.3 milion euro, Lëvizja Vetëvendosje 1.1 milion euro, AAK-ja 601 mijë euro, Nisma Socialdemokrate me 261 mijë euro të shpenzuara dhe 260 mijë euro Lista Serbe.

Demhasaj: Partitë politike “fshehin” burimin e financimit

Por, kjo vlerë dyshohet të jetë disa herë më e lartë, pasi partitë politike në Kosovë, në raportet financiare kanë deklaruar vetëm shpenzimet e bazuara nga të hyrat e buxhetit të Kosovës, thotë Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet - Çohu.

Ai, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se partitë politike vazhdimisht i kanë mbajtur të fshehur fondet e siguruara dhe shumën e shpenzuar.

“Kjo asnjëherë nuk pasqyron një gjendje reale të financimit të partive të politike. Për shkak se partitë politike edhe me ligj e kanë mundësinë të marrin donacione të jashtme nga ana e donatorëve të ndryshëm, qoftë biznese apo persona fizikë. Kurse, pjesën më të madhe të këtyre donacioneve shpeshherë nuk e deklarojnë” thotë Demhasaj.

Partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për një vit, nga buxheti u ndahen më shumë se 4 milionë euro. Kjo ndarje bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Gjatë vitit të kaluar, më 6 tetor, në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Maksimumi i shpenzimeve për secilën parti ka qenë 986 mijë euro. Në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, subjektet politike që veprojnë në Kosovë, nuk mund shpenzojnë më shumë para se 0.50 cent për votues.

Kompanitë që financojnë partitë “shpërblehen” me tenderë

Përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike financohen edhe nga bizneset private, e që në shumicën e rasteve nuk i paraqesin në raportet e tyre financiare, thotë Demhasaj.

Në raportet e paaudituara financiare të partive politike të publikuara më 2 nëntor nga Komisioni Qendror Zgjedhor, përveç emrave në disa raste të anëtarëve të partive përkatëse dhe personave individualë, nuk figuron ndonjë biznes si financues.

Mospublikimi i emrave të kompanive private, thotë Demhasaj, bëhet me qëllime të caktuara nga partitë politike.

“Partitë politike tashmë më tepër deklarojnë donacione nga personat individualë sesa nga bizneset. Kjo për shkak se ato biznese më vonë po fitojnë tenderë publikë. Kjo bëhet me qëllim, në mënyrë që mos t’iu zbulohet emri kompanive financuese. Këtu është pjesa më e madhe që partitë politike financohen në mënyrë të paligjshme”, thekson ai.

Meta: Deputetët nuk janë të interesuar të miratojnë Projektligjin për Financimin e subjekteve politike

Mostransparenca rreth të hyrave dhe shpenzimeve të partive politike, do të jetë evidente deri në plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, thotë Allen Meta, hulumtues i projekteve në organizatën Demokracia për Zhvillim (D4D).

Në vitin 2019, Qeveria e atëhershme e Kosovës e kishte iniciuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e partive politike.

Projektligji ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, por për shkak të ndryshimeve të propozuara nga partitë politike, ai ishte kundërshtuar nga shoqëria civile, me arsyetimin se projektligji nuk siguron transparencë në publikimin e financave dhe shpenzimeve të partive politike. Në qershor të vitit 2019, Qeveria e Kosovës e kishte tërhequr nga Kuvendi i Kosovës këtë projektligj.

Por, Allen Meta shprehet se vetë deputetët nuk janë të interesuar ta miratojnë projektligjin në fjalë.

“Një prej pikave të rëndësishme në projektligjin e ri, është se për vlerat mbi 50 euro duhet të deklarohen se nga kanë ardhur dhe ku shpenzohen. Është shumë me rëndësi që Projektligji i ri të miratohet, në mënyrë që qytetarët ta kenë më lehtë të qasen në të dhënat e fondeve të partive politike. Po ashtu, edhe partitë politike do të jenë më transparente dhe llogaridhënëse për qytetarin”, thekson Meta.

Transparenca rreth financimit të partive politike ka qenë dhe mbetet një prej ngecjeve të vazhdueshme të Kosovës, që është evidentuar gati se në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian.

Kurse, në raportin e publikuar së fundmi, i është kushtuar rëndësi e veçantë vonesës së rishikimit të legjislacionit për financimin e partive politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG