Presidenti amerikan Donald Trump ka fituar në Florida, një ndër shtetet kyçe për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale.
Si ai, ashtu edhe kandidati demokrat, Joe Biden janë në garë të ngushtë në shumë shtete.
Trump ka fituar tashmë në Ohajo dhe Ajoa, ndërsa Biden ka fituar në Minesota dhe Nju Hempshajr, dy shtete me pak vota elektorale po që presidenti kishte shpresuar se do t’i fitonte, raporton AP.
Me 29 votat elektorale, Florida, ishte konsideruar nga Trump si shtet që patjetër duhej fituar.
Më 2016, ai kishte fituar në Florida edhe ndaj ish-kandidates demokrate, Hillary Clinton për më pak se 1 për qind, sipas të dhënave të AFP-së.
Ky shtet federal i SHBA-së është i famshëm për përcaktimin e rezultatit të përgjithshëm zgjedhor, ndoshta me rastin më të famshëm ne vitin 2000, ndërmjet republikanit George W.Bush dhe demokratit Al Gore.
Votuesit e Floridas kanë zgjedhur fituesin në 18 prej 20 garave të fundit zgjedhore.
Për më shumë informacione nga zgjedhjet në SHBA, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.