Ndërlidhjet

Mustafa: Dialogu me Serbinë po e humb kuptimin


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se për shkak të sjelljes së Serbisë dhe të Bashkimit Evropian, procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është duke e humbur kuptimin dhe se ky proces po “shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për t’i vënë në harresë krimet e saj”.

Sipas Mustafës, partia e së cilit udhëheqë me qeverinë, autoritetet e Kosovës janë treguar të përkushtuar për procesin e dialogut me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Por, ky përkushtim i yni, kam përshtypje se nuk po vlerësohet nga BE-ja. Bile ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës. Ndërkaq, Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbylljen e atyre temave në ‘Pakon e Ahtisarit’”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook .

Mustafa ka rikujtuar se ministrat e Qeverisë së re të Serbisë, që u zgjodh më 28 tetor, gjatë betimit të tyre thanë se do të jenë të përkushtuar për ruajtjen e “Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë".

“Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të Qeverise serbe! A mundet BE të japë shpjegimin e saj?”, ka pyetur Mustafa.

Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Avdullah Hoti insiston që Kosova në dialog me Serbinë shkon vetëm për një marrëveshje finale, e cila do të kishte në vete njohjen reciproke.

Autoritetet në Prishtinë refuzojnë që të bisedojnë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Beogradi zyrtar insiston që ky organ të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.

Për Asociacionin, Kosova dhe Serbia arritën fillimisht marrëveshje më 2013, në kuadër të Marrëveshjes së parë të Brukselit. Dy vjet më vonë, më 2015, palët arritën edhe një marrëveshje për parimet për themelimin e këtij Asociacioni, por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se parimet nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka nisur më 2011. Ky proces është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë rritur angazhimin e tyre për të ndihmuar palët për normalizimin e marrëdhënieve. Në kuadër të këtyre angazhimeve, Prishtina dhe Beogradi, më 4 shtator, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë, marrëveshje për normalizim ekonomik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG