Ndërlidhjet

Macron pas sulmit në Nicë: E gjithë Franca u sulmua


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është zotuar se Franca nuk do të heqë dorë nga "vlerat e saj" dhe gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të të gjitha feve të mos "dorëzohen në frymën e përçarjes" pas sulmit në qytetin jugor të Nicës.

Macron tha se e gjithë Franca është sulmuar, duke shtuar se ai do të vendosë mijëra trupa të tjerë për të mbrojtur vendet kryesore, të tilla si vendet e kultit dhe shkollat.

Macron tha se Franca ishte e ekspozuar ndaj një sulmi terrorist islamik.

"Franca u sulmua për shkak të vlerave tona, për shkak të ndjenjës sonë të lirisë, për shkak të aftësisë sonë për të pasur liri të besimit në tokën tonë, sepse nuk i nënshtrohemi asnjë terrori. Më lejoni ta them këtë shumë qartë: kurrë nuk do të dorëzohemi", tha Macron.

Ai i bëri komentet pasi tre persona kanë vdekur nga një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, ka thënë policia.

I dyshuari është ndaluar pak pas sulmit. Burimet e policisë e emëruan të dyshuarin si Brahim Aioussaoi, një tunizian 21-vjeçar i cili arriti me anije në ishullin italian të Lampedusas në shtator. Ai u vendos në karantinë për koronavirus atje para se të lirohej dhe iu tha të largohej nga Italia. Ai arriti në Francë më parë këtë muaj.

Kryetari i Nicës, Christian Estrosi ka thënë se gjithçka çon drejt “sulmit terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”.

“Më duhet ta them se Nica – ashtu sikurse e gjithë Franca, por ndoshta më shumë sesa vendet tjera në Francë – sot po paguan një çmim tepër të lartë, duke u bërë edhe një herë viktimë e ‘islamo-fashizmit’”, ka thënë ai para gazetarëve.

Estrosi ka thënë edhe se i dyshuari i sulmit, ka bërtitur "Allahu Akbar" (Zoti është më i madhi) edhe pasi është arrestuar nga policia, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Prokurorët francezë kundër-terrorizmit kanë nisur hetimet për vrasje.

Estrosi ka thënë se një nga të vdekurit ka qenë kujdestar në bazilikë.

Kryeministri francez, Jean Castex ka njoftuar se Franca ka rritur alarmin e sigurisë për territorin francez në nivelin më të lartë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG