Ndërlidhjet

Kosova nis procedurat për përdorimin e plazmës së gjakut për pacientët me COVID-19


Ilustrim.
Ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar se ka formuar një grup punues, që ka për qëllim hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente për pacientët me koronavirusin e ri.

“Ky është një hap para për fuqizimin e menaxhimit dhe trajtimit gjithëpërfshirës të infeksionit COVID-19. Presim që Grupi punues brenda afateve të përcaktuara ligjore ta finalizojë protokollin në fjalë”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po trajtojnë pacientët me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) me plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar nga kjo sëmundje.

Ky lloj trajtimi bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusi.

Transfuzioni i antitrupave krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19.

Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për kujdes lidhur me trajtimin me plazmë të gjakut, pasi ka thënë se ky trajtim është i një “cilësie të dobët”.

A mund të jetë gjaku i të shëruarve ilaç për pacientët me COVID-19?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:53 0:00

Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në transfuzionin e gjakut. Dhe kjo metodë është aplikuar në vazhdimësi për shumë sëmundje në Kosovë. Disa infektologë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm për një procedurë të tillë nëse merret vendim nga autoritetet kompetente.

Sipas shifrave të prezantuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në Kosovë deri më 27 tetor, nga koronavirusi janë shëruar 15,198 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG