Ndërlidhjet

Thellohet borxhi publik për të mbajtur gjallë sektorin real  


Ilustrim.
Ilustrim.

Një numër i madh i kompanive në Maqedoninë e Veriut thonë se këtë vit do ta mbyllin me humbje të mëdha, si rrjedhojë e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Biznesi pret që të marrë pak më lehtë frymë pasi të marrë infuzionin nga pakoja e katërt e masave anti-krizë në vlerë prej 470 milionë eurove për tejkalimin e krizës ekonomike.

Këto mjete do të arrijnë në sektorin e biznesit menjëherë pasi të marrë vizë rishikimi i buxhetit të shtetit gjatë javës së ardhshme, që siç ka theksuar Ministri i Financave, Fatmir Besimi, kur dhe do të fillojnë të zabtohen masat nga pakoja e katërt e masave anti-krizë.

Por, opozita maqedonase vlerëson se rishikimi i buxhetit ka ne vete vetëm komponentën popullsite, në kurriz të thellimit të borxhit publik si rrjedhojë e huamarrjes.

Autoritet qeveritare thonë se mjetet e marra hua destinohen në mbajtje gjallë të sektorit real, derisa thellimin e borxhit publik e arsyetojnë me krizën që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit .

Aktualisht, borxhi publik në Maqedoninë e Veriut arrin në 60 përqindëshin e bruto-prodhimit vendor, përkatësisht mbi 6.5 miliardë euro.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se veprimet e qeverisë duhet të jenë të guximshme dhe që në mes të dy të këqijave, të zgjedhë atë që është më pak e dhimbshme.

Në rastin konkret, të marrë hua për të mbajtur gjallë sektorin real, por duke u treguar shumë e kujdesshme në shpenzimin e çdo qindarke që ka kosto të lartë të kthimit.

Arben Halili, ish-Drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, njëherësh ekspert për çështje ekonomike, tha për Radion Evropa e Lirë se me çdo kusht duhet të mbahet në këmbë funksionimi i bizneseve, pavarësisht kostos që duhet paguar nga thellimi i borxhit për shkak të marrjes së huave.

Halili thotë se vetëm përmes mjeteve financiare, pavarësisht se me çfarë kosto merret huaja, në këtë kohë krize, do të jetë e mundur që shteti të mund të motivojë sektorin ekonomik, përkatësisht të mbahet në një kondicion të qëndrueshëm ekonomia dhe ashtu të mund të gjenerojë të ardhura për mbushje të arkës së shtetit përmes tatimeve.

“Nëse do të duhet të vendoset mes shkurtimit të buxhetit apo heqjes dorë nga thellimi i borxhit publik, si rrjedhojë e marrjes së huave, unë më tepër do të isha për huamarrje sesa për shkurtimin e buxhetit, sepse shkurtimi i buxhetit do të nënkuptonte se nuk do të kishim mjete financiare në qarkullimin e ekonomisë, përkatësisht kompanitë nuk do të kishin aktivitet dhe me këtë shteti nuk do të kishte të hyra përmes taksave që do të thotë arka financiare e shtetit do të shkonte kah zeroja. Pra më mirë është të thellohet borxhi publik që të ruhet në kondicion ekonomia e vendit, sesa të mbyllen biznese të caktuara që kanë numër të konsiderueshëm të të punësuarve”, thotë Halili.

Shenaj Haxhi Mustafa, nga ana tjetër, thotë se e keqja është se sa herë kërkohet të shkurtohet buxheti, askush nga politika nuk ka guxim të shkurtojë pagat, por preket në investimet kapitale që kanë një efekt zinxhir në zhvillimin ekonomik.

Ajo nënvizon se duke pasur parasysh faktin se vitin e ardhshëm pritet të mbahen zgjedhjet lokale, nuk beson se dikush do të marrë guxim të prekë në shkurtimin e pagave ku shkon pjesa më e madhe e mjeteve të buxhetit.

“Realisht nuk ka nevojë për aq numër të madh të të punësuarve, por nëse ulet numri i të punësuarve zvogëlohet dhe fuqia konsumuese që paraqet një lloj goditjeje për ekonominë dhe ajo më e rëndësishmja, vitin e ardhshëm kemi zgjedhje dhe për këtë nuk do të vendosë qeveria, por besoj do të shkurtojë mjetet e parapara për investime kapitale”, thotë Shenaj Haxhi Mustafa.

Ndryshe me rishikimin e buxhetit të shtetit parashihet shkurtimi i investimeve në dikasterin e arsimit, përkatësisht ndërtim dhe rekonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, financimin e ndërtimit të shtëpive të pleqve.

Ndërkohë, janë reduktuar në masë të konsiderueshme dhe investimet në infrastrukturën rrugore, atë hekurudhore si dhe gazsjellësin në kurriz të sigurimit të mjeteve për subvencionimin e kompanive që kanë pësuar rënie të produktivitetit si rrjedhojë e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG