Ndërlidhjet

Hoti në takim me QUINT-in: “I vendosur për të luftuar korrupsionin”


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, takoi të hënën ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, njofton Qeveria e Kosovës.

Sipas komunikatës së lëshuar për media, Hoti u shpreh i vendosur “për të fuqizuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, si dhe shprehu “gatishmërinë e tij për të punuar së bashku në këtë drejtim me qeveritë e vendeve anëtare të QUINT-it”.

Në grupin e QUINT-it bëjnë pjesë ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Takimi i së hënës u zhvillua pas një sërë kritikash në adresë të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës anti-Korrupsion.

Më 19 tetor, Qeveria e Kosovës ka vendosur ta mbyllë këtë task-forcë, që ishte pjesë e Policisë së Kosovës, duke vlerësuar se çështjet me të cilat merrej ajo, tani duhet të rregullohen me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial.

Duke arsyetuar vendimin, Hoti ka thënë javën e kaluar se themelimi i task-forcës ka qenë anti-kushtetues dhe se “brenda Policisë së Kosovës janë krijuar struktura joligjore”.

Megjithatë, vendimi për shuarje ka shkaktuar disa reagime.

Në mesin e të tjerëve, Bashkimi Evropian ka thënë se ky vendim ngre shqetësime serioze rreth përkushtimit të Kosovës për të luftuar korrupsionin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG