Ndërlidhjet

Privatizimi në Kosovë nën hetime


Ilustrim
Ilustrim

Procesi i privatizimit në Kosovë i cili ka nisur 17 vite më parë ka përfunduar në një Komision hetimor parlamentar, i cili deri më tani, ka vënë në pah se ekzistojnë indikacione që ky proces është përcjellur me parregullsi të shumta.

Komisioni është duke e hetuar procesin e privatizimit i nisur në vitin 2003 nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), që u pasua në në vitin 2008 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Nga procesi i privatizimit janë shitur mbi 2000 asete me një vlerë prej mbi 750 milionë euro. Këto ndërmarrje u privatizuan në mbi 100 valët e privatizimit të zhvilluara deri më tani.

Shumica e ndërmarrjeve të shitura në Kosovë janë privatizuar me metodën e quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo e cila lejon destinimin e ndërmarrjes, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Nga privatizimi nuk shpëtuan as sipërfaqet e tokave bujqësore në pronë publike. Agjencia Kosovare e Privatizimit, përmes, valëve të privatizimit, në vazhdimësi ka shpallur në shitje sipërfaqe të ndryshme të tokës bujqësore.

Në një raport të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të publikuar në muajin nëntor të vitit të kaluar, thuhet se janë privatizuar 663 toka bujqësore dhe toka të kategorive të tjera, pa specifikuar sipërfaqen. Nga ky numër thuhet se 595 janë tokë bujqësore, kurse 68 toka të kategorive tjera.

E gjithë kjo sipërfaqe, sipas raportit të AKP-së, është shitur për rreth 164 milionë euro.

21 dëshmitarë të ftuar për intervistim

Për privatizimin e këtyre aseteve, Komisioni parlamentar hetimor ka ftuar 21 dëshmitarë, përgjegjës të procesit të privatizimit.

Të ftuar janë ish-ministra përgjegjës për privatizimin, kryesues dhe anëtarë të bordit dhe ish-kryesues dhe anëtarë të bordit të AKP-së dhe AKM-së, drejtorë menaxhues dhe ish-drejtorë menaxhues të AKP-së dhe AKM-së dhe ish-zyrtarë të UNMIK-ut të shyllës së katërt, që në atë kohë e kishin mbuluar privatizimin.

Intervistimi i dëshmitarëve ka filluar më 12 tetor, pas sigurimit të një dokumentacioni nga institucionet relevante si Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe institucione tjera. Për shqyrtimin e këtij dokumentacioni janë angazhuar edhe ekspertët e jashtëm.

Gjashtë nga 21 dëshmitarët e thirrur nga ky Komision janë dëgjuar deri më tani, ndërsa me pjesën e mbetur do të vazhdohet në dy javët e ardhshme.

Këta 21 dëshmitarë janë vetëm grupi i parë, pasi që, siç thotë Hajrullah Çeku, kryetar i Komisionit shumë shpejtë do të jetë edhe grupi i dytë i dëshmitarëve që do të ftohen nga Komisioni.

Në grupin e dytë të intervistuarve do të jenë të ftuar pronarë të kompanive që kanë privatizuar ndërmarrje shoqërore, ekspertë dhe njohës të çështjes së privatizimit, gazetarë dhe aktivistë që kanë përcjell procesin e privatizimit dhe ish-punëtorë të ndërmarrjeve që kanë raste dhe konteste lidhur më të drejtat e tyre.

Një ari tokë është shitur për 1 euro

Komisioni ende nuk ka dhënë konstatime përfundimtare lidhur me atë se çfarë shkeljesh të procedurave apo keqpërdorime eventuale mund të kenë ndodhur në procesin e privatizimit. Mirëpo, siç thotë Çeku, ekzistojnë indikacione të mjaftueshme që bëjnë të besojnë që procesi i privatizimit përgjatë afër dy dekadave është përcjell me një numër të parregullsive.

Një nga dëshmitarët i cili ka deklaruar në Komision hetimor parlamentar është ish-kryesuesi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatzimit, Blerim Rexha. Ai ka deklaruar për parregullsi në privatizimin e aseteve publike.

Në një rast të privatizimit të tokave ai ka thënë se 50 hektarë tokë publike, janë shitur për 5 mijë euro, që i bie se 1 ari tokë është shitur për 1 euro.

Rexha ishte në krye të kësaj detyrë në vitin 2013, por kishte dhënë dorëheqje pas tre muajve. Ai ishte dorëhequr pas largimit që kishte bërë përfaqësuesja e së Shteteve të Bashkuara nga Bordi i AKP-së Bernadette Roberts.

Në atë kohë, kur nga bordi ishte larguar Bernadette Roberts, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë pati deklaruar se ‘është e domosdoshme që qeveria të angazhojë individë kompetentë dhe etikë për të zhvilluar një proces të drejtë dhe transparent të privatizimit nga i cili përfiton Kosova si e tërë dhe jo interesat individuale’.

Djegia e dokumentacionit të privatizimit më 2008 nuk u hetua asnjëherë

Një dëshmitarë tjetë i intervistuar është edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu. Sadriu ka deklaruar edhe për djegien e dokumenteve të cilat ishin bërë në vitin 2008. Ai tha se ky rast nuk është hetuar asnjëherë.

Në gusht të vitit 2008, me fillimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nga zyrtarët e saj, në oborrin e ndërtesës së ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, janë gjetur dokumente të djegura, ndërsa në zyre nuk ka pasur asnjë dokument dhe as pajisje teknike.

Raporti përfundimtar i Komisionit mund t’i hap punë gjyqësorit

Komision parlamentar hetimor për procesin e privatizimit do të funksionojë në një periudhë gjashtëmujore.

Pas intervistimit të të gjithë dëshmitarëve, kryetari i këtij Komsioni Hajrullah Çeku tha se do të kalohet në fazën e shqyrtimit të provave, për të përmbyllur punën e Komisionit me raportin final dhe rekomandimet.

Puna e Komisionit Hetimor përfundon në momentin që raporti me rekomandime dërgohet në seancë plenare.

Ndërkaq, pjesa tjetër e veprimeve varet nga rekomandimet që do të dalin nga të gjeturat dhe dëshmitë e grumbulluara, që sipas Çekut kjo mund të hapë rrugë për veprime të institucioneve të tjera, përfshi gjyqësorin.

Komisioni edhe gjatë kohës sa është duke vepruar, në momentin që sigurojnë dëshmi inkriminuese, janë të detyruar t’i përcjellim ato në prokurori.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG