Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë nënshkruar në Shkup memorandum bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara për “Rrjetin e pastër” të gjeneratës së pestë të komunikimeve, 5G.
Memorandumi është nënshkruar ndaras mes zëvendës-Sekretarit amerikan të Shtetit për Ekonomi, Energji dhe Mjedis, Keith Krach, me kryeministrat e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Avdullah Hoti dhe Zoran Zaev.
“Rrjeti i pastër” 5G, sipas Departamentit të Shtetit, “është një rrugë komunikimi që nuk përdor asnjë pajisje transmetimi, kontrolli ose ruajtjeje nga shitësit e pabesueshëm të teknologjisë informative si Huawei dhe ZTE, të cilët janë nën kontrollin e Partisë Komuniste të Kinës”.
Kryeministri Hoti e ka konsideruar këtë marrëveshje si hap të madh drejt rritjes së sigurisë në këtë fushë.
“Përmes kësaj Kosova merr edhe obligimet e veta shtetërore, për të qenë krah partnerëve tanë strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara në këtë fushë”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës tashmë kanë marrë veprimet e duhura në Prishtinë lidhur me këtë çështje.
Zëvendës-Sekretari Krach, nënshkrimin e memorandumit, e ka vlerësuar si akt që dëshmon miqësinë e fuqishme mes dy shteteve, SHBA-së dhe Kosovës.
“Kosova është partner strategjik shumë i ndershëm dhe kjo ceremoni është dëshmi e fuqishme e miqësisë mes dy shteteve tona…Bota po zgjohet nga rreziqet e rrjeteve të pabesueshme dhe të rrezikshme. Deklarata e jonë e përbashkët historike për ‘Rrjetin e pastër’ 5G e adreson rrezikun duke marrë parasysh kërcënimet për sigurinë nga rrjetet e ashtuquajtura 5G... 25 vende anëtare të NATO-së dhe 27 vende anëtare të BE-së janë pjesë e ‘Rrjetit të pastër’ 5G, por ka edhe shumë kompani e shtete tjera që e përdorin këtë rrjet. Ky është një rrjet shumë më tepër se 5G pasi mbulon çdo gjë. Është gjithëpërfshirës dhe lufton rreziqet mbi privatësinë e të dhënave, sigurinë dhe bashkëpunimin e besueshëm, që rrezikohet nga Partia Komuniste e Kinës”, ka deklaruar ai.
Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm nënshkrimin e këtij memorandumi, jo vetëm për sigurinë e vendit por edhe të rajonit.
“Maqedonia e Veriut si shtet kandidat për anëtarësim ne BE e ka për obligim që t’i harmonizojë politikat kombëtare për zhvillimin e komunikimeve elektronike me politika e BE-së si dhe me ato të partnerit tonë strategjik dhe aleat në NATO, SHBA-së. Ky memorandum është me rëndësi jetike për prosperitetin, sigurinë kombëtare dhe zhvillimin ekonomik”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Në marrëveshjen për normalizim ekonomik, të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, nga Kosova dhe Serbia, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, dy vendet janë zotuar se do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetin e komunikimit.
Shtetet e Bashkuara janë duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huaëei dhe rrjetin e saj 5G.
Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të Qeverisë kineze.