Ndërlidhjet

Qeveria arsyeton shkarkimet në Polici, ATK dhe Dogana  


Qeveria e Kosovës gjatë një mbledhjeje.
Qeveria e Kosovës gjatë një mbledhjeje.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka arsyetuar vendimet e fundit për shkarkimet e udhëheqësve të institucioneve të sigurisë dhe ekonomisë në vend.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Hoti tha se qeveria që ai udhëheq është e vendosur, për siç u shpreh, “kthimin e ligjshmërisë” teksa dha detaje lidhur me shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, atij të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe Ibrahim Xhaka, i cili, deri të premten ushtronte funksionin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Doganat e Kosovës.

Vendimi për shkarkimin e Qalajt, Murtezajt dhe Xhakas, u bë e ditur nga Qeveria e Kosovës më 16 tetor.

Duke arsyetuar shkarkimin e Qalajt, Hoti citoi një raport mbi performancën e këtij të fundit, që ia ka dërguar kryeministrit ministri i Brendshëm.

Raporti, tha Hoti, “thekson qartë se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka treguar performancë jo të kënaqshme në udhëheqjen, kontrollin dhe mbikëqyrjen e policisë, gjithashtu në menaxhimin dhe shpërndarjen e buxhetit të policisë”.

Kryeministri Hoti tha se Qalaj nuk ka përmbushur objektivin e luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të rënda.

Ai e kritikoi ish-drejtorin e Policisë së Kosovës edhe për menaxhimin e një aksioni në Karaçevë të Kamenicës ku u mbyllën kazinotë dhe u konfiskuan mallra të kontrabanduara.

“Është vënë re edhe menaxhim jo i mirë i aksionit në Karaçevë, pavarësisht suksesit të arritur në atë aksion”, tha Hoti.

Hoti shtoi se më shqetësuese mbetet fakti se gjatë vitit 2019-2020, janë arrestuar 68 policë për vepra të ndryshme penale, ku 39 prej tyre janë policë kufitarë.

“Përkundër numrit kaq të lartë të arrestimeve brenda Departamentit të policisë kufitare, nuk është bërë asnjë ndryshim në menaxhmentin e lartë të këtij departamenti”, tha Hoti.

Qalaj deri më tani nuk është deklaruar lidhur me shkarkimin nga udhëheqësia e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, Hoti tha se është dashur ta lirojë nga detyra Ilir Murtezajn, ish-drejtorin e ATK-së, pasi sipas kryeministrit, ai ka ndërmarrë “një varg veprimesh që përmbushin kushtet ligjore për lirimin e tij nga detyra për shkak të paaftësisë ose sjelljes së keqe”.

Hoti argumentoi se Murtezaj ka miratuar rregulloren për organizimin e brendshëm të ATK-së në kundërshtim me ligjin, si dhe ka shpallur konkurs për tri pozita të zëvendësdrejtorit të kësaj agjencie, por më pas, ish-zëvemndësdrejtorët nuk i ka sistemuar, dhe “të cilët i ka konsideruar tepricë”, tha kryeministri.

Murtezaj, sipas Hotit, ka bërë lëvizje të shpeshta të stafit që kanë shkaktuar “pakënaqësi të madhe duke degraduar zyrtarët e kësaj agjencie. Të gjitha këto shkelje janë konstatuar edhe në mendimin juridik të Avokatit të Popullit të datës 09.07.2020”, tha kryeministri i Kosovës.

Por, pas shkarkimit nga pozita e drejtorit të ATK-së, Murtezaj, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi, për punën e mirë që ai kishte bërë në këtë agjenci, e shpërbleu me shkarkim.

“Duke u bazuar në të gjitha vlerësimet, si raportet vendore dhe ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, dhe se fundmi Raporti i Progresit, vlerësohet lartë puna gjatë vitit 2019-2020, në kohën kur unë e kam qeverisur këtë institucion”, ka thënë mes tjerash Murtezaj.

Ndërkaq, sa i përket shkarkimit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Doganave të Kosovës, Ibrahim Xhaka, Hoti tha se në këtë institucion është hapur tashmë konkursi për drejtor dhe Xhaka ka aplikuar në këtë pozitë, prandaj ai është shkarkuar nga kjo pozitë, në mënyrë që ky institucion të udhëhiqet nga dikush që nuk është pjesë e konkursit derisa të zgjidhet drejtori i ri.

Kryeministri Hoti në postin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka emëruar Samedin Mehmetin, në ATK ka emëruar Ekrem Hysenajn ndërsa në Dogana, Bajram Rexhën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG