Ndërlidhjet

AGK-ja dënon sulmin ndaj gazetarit Kajtazi


Ilustrim.
Ilustrim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj sulmit me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit të gazetës online Reporteri.net, Shkumbin Kajtazi.

Ky asociacion e ka dënuar ashpër këtë sulm, për të cilin ka njoftuar vet Kajtazi përmes rrjetit social Facebook, ku ka thënë se të shtunën në mbrëmje, në Mitrovicë, vetura e tij është qëlluar me disa plumba.

"Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime është qëllua me pesë ose gjashtë plumba. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, ku vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës", ka shkruar Kajtazi.

Ai ka shprehur dyshimet se sulmi ndërlidhet me punën e tij, për shkak se nuk ka pasur me askë problem personale.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në reagimin e tij thotë që ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe se rasti është duke u hetuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe së ne vendin e ngjarjes, në veturën e dëmtuar, janë gjetur katër predha të armës së zjarrit.

“Për AGK-në, sulmi me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi është tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Gjithashtu, AGK-ja e ka vlerësuar si shqetësues faktin se në drejtim të gazetarit Shkumbin Kajtazi, brenda katër muajve, kanë ndodhur dy sulme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG