Ndërlidhjet

Lufta për Nagorno-Karabakun kalon edhe në Twitter


Stepanakert, 13 tetor, 2020.
Stepanakert, 13 tetor, 2020.

Sapo filluan luftimet vdekjeprurëse rreth rajonit të shkëputur të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak, në fund të muajit të kaluar, përdoruesit e Twitter-it, armenë dhe azerbajxhanas, filluan të shkruajnë fuqishëm në shenjë hakmarrjeje.

Ta marrim si shembull Anush Ghavalyan.

Për përdoruesin e rastësishëm të Twitter-it, ajo është thjesht "një grua nga #Artsakh (#NagornoKarabakh)". Ky mund të jetë një njoftim interesant për ata që e dinë: "Artsakh” është emri zyrtar i Jerevanit zyrtar për Nagorno-Karabakun që administrohet nga autoritetet e Armenisë.

Postimi i parë i Ghavalyanit kur rifilluan luftimet më 27 shtator, ishte një video-klip i një tymi mbi terrenin malor, duke shkruar se ishte "një agresion i ri" nga Azerbajxhani kundër "njerëzve" në një rajon të tensionuar, që është në qendër të një konflikti mbi tri dekada të vjetër.

Stepanakert, qyteti kryesor në Nagorno-Karabak, ishte "nën zjarr", tha ajo.

Ajo i a bëri tag (etiketoi) ministritë e Jashtme të vendeve si: Franca e Rusia, si dhe Departamentin amerikan të Shtetit dhe Grupin e Minskut të OSBE-së - organizata që ka udhëhequr bisedime për disa dekada, por pa sukses për të zgjidhur problemin e Nagorno-Karabakut.

Llogaritë si "Armen" dhe "Shoushan" u përgjigjën me flamuj armenë dhe duke thirrur :"Ku është mbulimi mediatik botëror?", ndërsa etiketonin mediat kryesore të SHBA-së dhe ato ndërkombëtare, për të tërhequr vëmendjen e tyre.

Që atëherë, postimet e Ghavalyan në Twitter përmbajnë emocione, janë pro-armene për ngjarjet dhe homazhet për trupat dhe civilët e zënë në luftë.

Ghavalyan nuk është robot. Ajo është një person i vërtetë, por gjithashtu është një ish-këshilltare e shefit të parlamentit pro-armen në rajonin e Nagorno-Karabakut.

Kjo informatë është publikisht e qasshme në LinkedIn dhe vende të tjera në anglisht në internet, edhe pse disa nga këto burime thonë se ajo është ende në atë pozitë.

Thomas Theiner, një producent i filmave dhe ish-banor i Kievit, postimet e të cilit mbi ngjarjet në ish-republikat sovjetike i kanë sjellë atij më shumë se 10,000 ndjekës në Twitter, e cilësoi profilin e Ghavalyan në mediat sociale si "të pasinqertë".

"Nëse jeni një zyrtare qeveritare, e cila paraqet pikëpamjet e asaj qeverie, duhet ta thoni atë", shkroi Theiner në Twitter më 11 tetor.

Ghavalyan u përgjigj të nesërmen, duke thënë se kishte "dhënë dorëheqje nga ajo pozitë" në maj dhe se mediat armene kishin raportuar për të.

"Unë nuk jam duke pretenduar se jam një grua, unë jam një grua", tha ajo me shaka.

Një ngjarje e tillë vë në pah vijën shpesh të paqartë - ose të fshehur - midis aktorëve individualë dhe përpjekjeve të koordinuara apo edhe zyrtare në platformat online nga të dy palët e konfliktit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Më shumë se më parë

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik janë krijuar “konflikte të ngrira” si ai në Transdniestri në Moldavi, Abkazi dhe Oseti të Jugut në Gjeorgji dhe Nagorno-Karabak në Azerbajxhan.

Të gjitha këto konflikte kanë diçka të përbashkët. Kanë një diasporë që i përcjell me vëmendje ngjarjet që ndodhin në shtetet e tyre të vendlindjes.

Por, në asnjërin prej këtyre konflikteve nuk është parë një fushatë kaq e madhe në media sociale, në numër ose intensitet, si ajo e mosmarrëveshjes armene-azerbajxhanase.

Armenia ka vetëm rreth 3 milionë banorë brenda vendit. Por, pala armene duket se është në avantazh ndaj kundërshtarëve të saj azerbajxhanas në disa vende të largëta gjeografike, për shkak të një diaspore prej 7 milionë banorësh. Kjo diasporë është shumë aktive në internet nga vende si: Kalifornia, Rusia, Franca dhe Argjentina.

Popullsia e Azerbajxhanit është gati trefish e Armenisë, me rreth 10 milionë banorë, por përdorimi i internetit brenda vendit përbën vetëm një pjesë të vogël nëse krahasohet me fqinjin e tij.

“Asnjë luftë nuk mund të fitohet”: Pengesat për paqen mbi Nagorno-Karabakun
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Diaspora e Azerbajxhanit gjithashtu është më e zbehtë, e vlerësuar në vetëm rreth 1 milion dhe e përqendruar kryesisht në ish-republikat sovjetike.

Ka pasur një debat të gjerë në Twitter dhe media të tjera sociale mbi luftimet për Nagorno-Karabakun nga të huajt, nga përfaqësuesit e të gjitha palëve në konflikt, nga ministritë e qeverive deri te qytetarët e pasionuar dhe analistët e sigurisë nga e gjithë bota.

Nuk është asgjë e re të thuhet se një pjesë e konsiderueshme e asaj se si tregohet problemi në internet, është e pasinqertë apo edhe më keq.

Të dyja palët po drejtojnë gishtin për ta fajësuar njëra-tjetrën, ashtu siç kanë bërë për shumë vite, duke përfshirë edhe dekadën e fundit, e cila ka qenë më pak vdekjeprurëse.

Por, një volum kaq i madh, pothuajse i menjëhershëm i llogarive të reja në Twitter, postimet dhe "kundër-postimet" për t'i promovuar ato, janë në zemër të një raporti të fundit që u përpoq të zbulonte "dinamikën fillestare të luftës në hije, që po zhvillohej në mediat sociale, për të kontrolluar narrativën ndërkombëtare në lidhje me konfliktin" që shpërtheu dy javë më parë.

Përdorimi i personave të famshëm

Elise Thomas dhe Albert Zhang nga Instituti Australian për Politikë Strategjike (ASPI) kanë shqyrtuar postimet në gjuhën angleze në Twitter gjatë një periudhe katërditore (27-29 shtator) dhe kanë gjetur se "një numër i madh i llogarive të dyshimta që mbështesin të dyja palët ... përmbanin hashtag-e të politizuara dhe të lidhura me konfliktin."

Thomas i tha Radios Evropa e Lirë përmes postës elektronike se një nga të gjeturat kryesore për të ishte "se si kjo lloj beteje informacioni tani është një pjesë gjithnjë e më e zakonshme dhe e pritshme në konflikte”.

Të tilla "beteja në internet" kanë qenë mbi dhe përtej "fushatave informative për një kohë të gjatë te të dyja palët", thuhet në raport.

"Disa nga ato aktivitete janë padyshim autentike, por ne gjithashtu kemi gjetur prova që sugjerojnë aktivitete që mund të mos jenë autentike, të tilla si ngritja e konsiderueshme e krijimit të llogarive të reja dhe modele të dyshimta të postimeve", shkruan Thomas dhe Zhang.

Në studimin e tyre ata cituan të dhëna që tregojnë se përdorimi i hashtag-ëve pro-armenë në Twitter, në ditët e para të luftimeve, ishte disa herë më i madh se i atyre pro-azerbajxhanas.

Thomas dhe Zhang vunë në dukje përdorimin e llogarive "të dyshimta" të sapokrijuara në Twitter për të rritur përmbajtjen pro-armene, ku në disa raste kishin edhe gabime drejtshkrimore që mund të sugjerojnë se ka pasur postime në mënyrë automatike ose edhe shpërndarje të shkrimit, siç njihet me termin cut-and-paste (këput dhe ngjit).

Kjo lloj shpërndarjeje mund të ketë ndikim që përmbajtja të jetë më e gjerë ose ta bëjë një "lojë algoritmesh të angazhimit të Twitter-it" duke i bërë ato të duken se janë trending (diçka për të cilën flitet shumë në internet), thanë ata.

Thomas dhe Zhang përmendën, në veçanti, një "nivel të rëndësishëm të veprimtarive jo-autentike që promovojnë përmbajtje pro-armene, në përpjekje për ta treguar ndryshe rrëfimin (për konfliktin)", veçanërisht për audiencën në Shtetet e Bashkuara.

Ato përfshijnë "njerëz jashtë territorit gjeografik të konfliktit" dhe llogari në dukje jo-autentike turke, pakistaneze dhe indiane që "përfshihen në debate online në gjuhën angleze".

Ata thanë se persona të famshëm amerikanë, si Kim Kardashian West dhe Lady Gaga (ku videoja muzikore e saj '911' përfshiu edhe referenca kulturore armene") me sa duket ishin etiketuar në postime për të inkurajuar mbështetjen.

Kardashian dhe persona të tjerë të famshëm armeno-amerikanë kanë dënuar dhunën e fundit, duke përfshirë Serj Tankian, këngëtaren dhe aktoren Cher, dhe bashkë-themeluesin e Reddit, Alex Ohanian.

Studiuesit e ASPI shtuan se në këtë luftë online "nuk duket se ka një kontingjent rus të rëndësishëm dhe që punon haptas".

Ata gjithashtu theksuan se disa nga "betejat në hije" për një çështje kaq të diskutueshme dhe të ngarkuar emocionalisht, ishin "padyshim autentike".

"Dallimi i njerëzve të vërtetë nga llogaritë jo-autentike ose robotike është sfidues në këtë kohë dhe krizat dhe konfliktet në zhvillim mund t'i shtyjnë përdoruesit e vërtetë të sillen në mënyra jo të zakonshme, duke e bërë atë edhe më të komplikuar se normalisht", thanë ata.

Ndërsa qëllimi i tyre për të monitoruar aktivitetet në Twitter në ato ditët e para të luftimeve nënkuptonte ndërprerjen e hulumtimeve të tyre deri më 29 shtator, Thomas i tha Radios Evropa e Lirë se: "Ajo që shoh unë është se tendenca të ngjashme po vazhdojnë në Twitter në gjuhën angleze, përfshirë veprimtarinë e koordinuar autentike si dhe sjellje të dyshimta ose potencialisht jo-autentike".

Azerbajxhanasit, të vonshëm në luftën digjitale

Josh Russell, një gazetar amerikan dhe “gjahtar interneti” (troll hunter) tha se më 3 tetor kishte “shumë aktivitete online robotike” rreth Nagorno-Karabakut.

"Normalisht nuk do të merakosesha për një gjë të tillë, mirëpo të gjitha këto janë llogari të reja, janë profile me fotografi false", shkroi ai në Twitter.

Ai shtoi se “gjithmonë ka rritje në krijimin e llogarive gjatë ngjarjeve të mëdha, por jo t’i kesh 12,000 llogari të reja brenda pak ditësh".

Shumë studiues të dezinformimit thonë se edhe pse ka hyrë vonë në lojë, pala pro-azerbajxhanase ka qenë shumë aktive këtë vit.

Një laborator që tregon dhe ndjek dezinformimin, i njohur si DFRLab, njoftoi një rritje në llogaritë pro-Azerbajxhanit, por që nuk tregonin se kush ishte pas atyre llogarive. Kjo kishte për qëllim të krijonte një pamje të një mbështetjeje më të gjerë, në kohën e korrikut kur shpërthyen luftimet në kufirin ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Një zyrtar i regjimit azerbajxhanas i ngarkuar me marrëdhëniet shtetërore me diasporën, Fuad Muradov, kohët e fundit i tha Newsweek se azerbajxhanasit jashtë vendit, "nga Evropa në Amerikë, nga Lindja e Afërt deri në Rusi, ngritën zërin e tyre kundër agresionit armen".

Marc Owen Jones, një profesor-asistent në Universitetin Hamad bin Khalifa të Katarit, u citua në të njëjtin artikull duke thënë se "shumica" e gati 8,000 shembujve të hashtag-ut anti-armenian #stoparmenianagreesion që ai pa që nga viti 2007, ishin krijuar gjatë luftimeve të fundit që janë më të ashprat, që kur lufta mbi territorin kryengritës përfundoi më 1994.

Situata "bëhet edhe më e ndërlikuar", shkruan Thomas dhe Zhang nga ASPI, pasi nga Azerbajxhani mund të priten më pak veprimtari online, pasi ky shtet ka bllokuar në masë madhe mediat sociale.

Ata thanë se ka dy rritje në krijimin e llogarive anti-armene në Twitter, rreth luftimeve që ndodhën në mes të korrikut dhe përsëri, në një shkallë më të madhe, më 27-28 shtator.

Ata shtuan se një "pjesë e konsiderueshme e veprimtarisë në Twitter pro-Azerbajxhanit në anglisht duket se po vjen nga llogari me origjinë në Turqi dhe Pakistan", duke pasqyruar aleanca gjeopolitike dhe ushtarake.

Turqia, anëtare e NATO-s, ka siguruar sasi të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake, duke përfshirë dronë pa pilotë, për aleatin e saj tradicional, Azerbajxhanin, dhe është akuzuar se ka dërguar luftëtarë nga Siria për të luftuar së bashku me trupat azerbajxhanase.

Jashtë mediave sociale, të dyja palët raportuan sulme kibernetike që penguan ose prekën faqe të rëndësishme interneti, duke përfshirë ministritë e qeverisë dhe mediat.

Më 27 shtator, u raportua se disa sulme kibernetike shkatërruan shumë ueb-faqe të Qeverisë së Azerbajxhanit.

Ndërkohë, shumë hakerë në mbështetje të Azerbajxhanit u mburrën me sulmet kibernetike, ku komprometuan dhjetëra faqe armene të internetit, duke përfshirë disa të njohura që janë në gjuhën angleze.

Këto sulme online u shoqëruan me imazhe të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ndërsa flamuj të Azerbajxhanit dhe mesazhe tjera patriotike u shfaqën në faqet armene.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG