Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka ekzekutuar të martën pagesën e parë në përkrahje financiare për bizneset e vendit.
Nga 60 milionë euro që ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar bizneset, janë ekzekutuar mbi 37 milionë euro për rreth 17 mijë biznese të cilat i kanë plotësuar kushtet në këtë fazë, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.
Ndërkaq, pjesa tjetër e mjeteve tek bizneset thuhet se do të ndahet në ditët në vijim.
Qeveria e Kosovës më 28 shtator ka ndarë 60 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19.
“Mjetet ju shkojnë bizneseve si subvencionim i linjës së pagave që nënkupton lehtësim për bizneset për t’i paguar pagat për punëtorët, mirëpo mjetet shkojnë në xhirollogarinë e bizneseve dhe janë mbështetje për bizneset”, deklaroi ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se qeveria është duke u përpjekur që të ndihmojë ekonominë në kompensimin e dëmeve të shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
“Më këtë vendim është bërë një punë e madhe në mbështetje të bizneseve. Ne jemi duke bërë përgatitje që deri në fund të vitit, gati ta kompensojmë ekonominë plotësisht nga ndikimi ekonomik që ka pasur gjatë pandemisë”, tha kryeministri Hoti.
Bizneset është thënë se do të ndihmohen në bazë të listës së numrit të punëtorëve të regjistruar që kanë në muajin dhjetor të vitit 2019, ndërkaq për bizneset e reja merren të dhënat e muajit korrik të vitit 2020.