Diagnostikimi i kancerit të gjirit ka rënë në numër për rreth 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar, thotë drejtori i Institutit të Onkologjisë në Prishtinë, Ilir Kurtishi.
Por, programet e kontrollit të gjirit si dhe shërbimet kirurgjike të gjirit, janë ndërprerë në muajin mars, pasi Qendra Klinike Universitare e Kosovës i ka përqendruar burimet në trajtimin e pandemisë. Aty janë trajtuar vetëm rastet urgjente.
Me lirimin e shërbimeve në tre muajt e fundit, siç thotë Kurtishi, ka ngritje të numrit të grave që po lajmërohen si raste të reja.
“Gjatë vitit 2020, në periudhën janar-shtator kanë qenë 250 raste të reja me kancer në gji, derisa vitin e kaluar kanë qenë rreth 15 për qind më shumë. Sa i përket operacioneve të gjirit, gjatë kohës së pandemisë ato janë shtyrë. Intervenimet janë kryer kryesisht në spitale private. Në QKUK janë pezulluar këto operacione për shkak të pandemisë me COVID-19”, thotë ai.
Fitore Zenelaj nga Prizreni gjatë pandemisë iu desh të përballej me kimioterapi. Kjo pasi vitin e kaluar është operuar, meqenëse u prek nga kanceri në gji. Ajo thotë se vështirësitë nuk kanë qenë të pakta që të arrijë deri në Institutin Onkologjik.
“Gjatë pandemisë, mjekët më kanë thënë se nuk duhet të rrezikoj të shkoj të marr kimioterapi në muajin mars, për shkak të pandemisë. Por, unë kam shkuar pasi kjo është protokoll dhe nuk i kam ndërprerë. Gjithashtu edhe rrezatimin e kam bërë. Normalisht me doreza e me maskë. Kam shkuar në polici që të marrë leje speciale, për shkak të kufizimeve të lëvizjes. Ka qenë rrezik, por unë nuk kam mundur që të pres me muaj”, thotë ajo.
Mjekimi i sëmundjeve malinje bëhet në tri hallka, në mënyrë kirurgjikale, përmes mjekimit onkologjik medikamentoz dhe mjekimit me rreze. Që të tri format bëhen edhe në Kosovë.
Sa kanë ndikuar fushatat vetëdijesuese te gratë?
Por, jashtë pandemisë, gratë në Kosovë kontrollet e gjirit i bëjnë me vonesë, atëherë kur sëmundja ka avancuar në stadin e tretë dhe të katërt, thotë oknologu Kurtishi.
“Fakti që në 2019 dhe 2020 ka raste më shumë se viteve paraprake dhe kanceri i gjirit zbulohet në stade të hershme, tregon që vetëdija është më e mirë se shumë vite më parë. Por, prapë se prapë, është alarmante gjendja, pasi që shumë femra me kancer të gjirit lajmërohen në stadin e tretë dhe të katërt, kur sëmundja është e avancuar”, thotë Kurtishi.
Kanceri i gjirit, i diagnostikuar në një fazë të mëvonshme, mund të jetë më i vështirë për t’u trajtuar.
Ndryshe, muaji tetor është muaj i vetëdijesimit për kancerin e gjirit. Në Kosovë vazhdimisht janë bërë fushata për t’i vetëdijesuar gratë që të bëjnë kontrolle të shpeshta, në mënyrë që sëmundja të zbulohet me kohë.
Por, sa kanë ndikuar këto fushata te gratë, flasin vetë ato.
“Jo nuk bëj shpesh kontrolle, derisa kur i sheh reklamat si fushata për vetëdijesim po të kujtohet që duhet të kontrollohesh te mjeku. Do të thotë kontrollet nuk i bëj rregullisht sepse nuk kam nevojë, në fakt i kam 41 vjet, por kështu të paktën ndihem", tha Jeta Latifi, qytetare nga Prishtina.
Por, për dallim nga Jeta, Diellza Hoxha, 39-vjeçare nga Prishtina thotë se padyshim që kanë pasur rezultat fushatat vetëdijesuese, por edhe mediat, që ajo të jetë e rregullt në kontrolle, pikërisht për shkak të informative që numri i grave që preken me kancer të gjirit, është në rritje.
“Po pa dyshim që fushatat vetëdijësuese kanë ndikuar shumë që unë të bëj kontrolle si preventivë kundër kancerit të gjirit. Gjithashtu bëj vetëkontrolle. Mund të them se duke dëgjuar për rastet e shumta të kancerit të gjirit, si sëmundje e shpeshtë e femrave, sidomos vitet e fundit që janë shpeshtuar shumë, ka bërë që të jem më e kujdesshme. Por, edhe media e ka luajtur një rol të madh, sidomos media elektronike, pasi kemi qasje më shumë në informatë. Kjo ka bërë që unë të jem e rregullt në kontrolle, sidomos të gjirit”, tha ajo.
Gjatë vitit 2019, kanë qenë 380 raste të reja me kancer të gjirit, derisa këtë vit,sipas onkologut Kurtishi, sipas parashikimeve që ata i kanë përllogaritur, numri i grave që diagnostikohen me kancer do të jetë rreth 320 sosh.
Ndërkaq prej numrit të përgjithshëm të të prekurve me kancer në Kosovë, te gratë prin kanceri i gjirit, derisa te meshkujt ai i mushkërive, ndërkaq mosha mesatare e të prekurve, është rreth 50 vjeç.
Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë.
Facebook Forum