Ndërlidhjet

Pandemia ndikon në “kualitetin” e internetit


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Kohëve të fundit në Kosovë po paraqiten probleme në kualitetin e shërbimeve të internetit nga kompani të ndryshme të telekomunikacionit të licencuara, që operojnë në tregun e Kosovës, thonë disa qytetarë në Kosovë.

Këto problem ata shprehen se më shumë i vërejnë te qasja në internet, që ofrohet përmes teknologjive 2G, 3G dhe 4G nga operatorët që ofrojnë këto shërbime.

Erdan Sharani, që ka përfunduar studimet në drejtimin e Shkencave Kompjuterike, thotë se kohëve të fundit pamundësia e qasjes në internet ka qenë e shpeshtë.

“Pengesat po paraqiten më shumë gjatë ditës, ndoshta se qytetarët gjatë ditës po lidhen më shumë. Por, rrjeti nuk është aktiv gjithmonë. Këto probleme po i bëjnë klientët e pakënaqur”, tha Sharani.

Edhe Ardi Bakija, student në Fakultetin Juridik në Universitetin publik, tregon për Radion Evropa e Lirë se shpejtësia e internetit nuk është në nivel të kënaqshëm.

“Shumë shpesh interneti nuk bën. Edhe pse shenja tregon se është aktiv, por internet nuk aktivizohet. Edhe nuk ka vend ku të adresohen problemet sepse nuk merren parasysh”, thotë Bakija.

Pandemia ka rritur kërkesën për shfrytëzim të internetit

Rënia e kualitetit të shërbimit të internetit është paraqitur pasi është rritur vrullshëm shfrytëzimi i shërbimit të internetit nga shumë institucione publike dhe private, për shkak të masave mbrojtëse të shkaktuara nga pandemia e koronavirusi, thotë eksperti i çështjeve të telekomunikimeve, Driart Elshani.

Tashmë, sipas tij, është rritur sidomos përdorimi i internetit mobil, më shumë telefona të mençur (smartphone), më shumë përmbajtje (posaçërisht video), lloj-lloj aplikacionesh, për shkak se mbledhjet nga institucionet publike, mësimi e shumë punë të tjera, janë duke u zhvilluar në mënyrë virtual.

E për këtë rritje, sipas tij, operatorët e telekomunikacionit nuk kanë infrastrukturë dhe teknologji efikase.

“Nga shfaqja e pandemisë, në Kosovë është pritur se do ketë probleme të tilla, për shkak se infrastruktura e internetit nuk është në nivelin e mirëmbajtjes së duhur. Pra, shumë pak i kushtohet rëndësi infrastrukturës, mirëmbajtjes së rrjetit, kualitetit të shërbimeve. Për këto, kompanitë duhet të jenë shumë vigjilente dhe ta garantojnë kualitetin e shërbimeve sepse kjo është e domosdoshme tashmë në këtë kohë”, thekson Elshani.

Në tregun e komunikimeve elektronike në Kosovë, operojnë Telekomi i Kosovës, Ipko, Kujtesa, Artmotion, MTS doo, Ardi, Orange net, TelKos dhe të tjera.

Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), bën monitorimin e kualitetit të shërbimeve të qasjes në internet të këtyre kompanive. Por, as zyrtarë të ARKEP-it dhe as përfaqësues të tri kompanive që kanë përqindjen më të madhe të klientëve në Kosovë, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim për problemet e paraqitura ditëve të fundit.

Mbi 1.2 milion përdorues të internetit mobil

Përdorimi i internetit viteve të fundit ka pasur rritje të madhe në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 93 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet. Me rritjen e shërbimeve është rritur edhe numri i ofrueseve të këtyre shërbimeve.

Në raportin e “Pasqyrë e tregut të komunikimeve elektronike” të ARKEP-it, për tremujorin e dytë të këtij viti, thuhet se numri i linjave të internetit me qasje fikse në muajit janar –qershor ka arritur në 342,862 parapagues të internetit.

Kurse, numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G ka arritur në 1,275,309 përdorues.

Pavarësisht, problemeve të paraqitura kohëve të fundit, sipas raportit ARKEP-it, vlera e arritura të parametrave të shërbimit të qasjes mobile në internet kanë qenë të kënaqshme për të dy operatorët, (Telekomi i Kosovës dhe Ipko), respektivisht për të gjithë parametrat: shpejtësia në shkarkim (download), shpejtësia në ngarkim (upload), vonesa e sinjalit, nivelet e fuqisë së sinjalit të pranuar.

Në raport po ashtu thuhet se përqindjen më të madhe të përdorueseve të internetit e ka Ipko me 28 për qind, pasuar nga Telekomi i Kosovës dhe Kujtesa me përqindje të njëjtë, përkatësisht 22 për qind. Kurse Artmotion ka 9 për qind të përdorueseve.

Edhe pse qytetarët e Kosovës kanë qasje të madhe në internet, Kosova edhe pas më shumë se 12 vjet prejse ka shpallur pavarësinë, ende nuk ka arritur të pajiset me kod shtetëror në internet apo siç njihet ‘domen i nivelit të lartë’.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG