Ndërlidhjet

Hoti shpreh shqetësim për tërheqjen e Ambasadës së SHBA-së nga monitorimi në KPK


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është thellësisht i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht. Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Sipas tij Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon për reformën në drejtësi, përfshirë vettingun.

“Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, ka thënë Hoti.

Më herët, Ambasada Amerikane ka thënë se proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve, janë prishur në themel.

“Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe për të zgjedhur kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur në themel. Atyre u mungon transparenca dhe u nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Ambasada e SHBA-së thotë se më nuk do të marrë pjesë në këto procese, pasi “përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet në mënyrë të gabuar si një miratim i këtij sistemi të prishur".

“Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo në bazë të përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet në deklaratë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG