Ndërlidhjet

Falen gjobat e vendosura për COVID-19 në Shqipëri


Pamje nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Pamje nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, përmes një akti normativ, ka vendosur që të falen të gjitha gjobat e vendosura për shkeljen e rregullave gjatë pandemisë.

Këto gjoba janë dhënë prej periudhës së 17 prillit deri më 7 tetor të vitit 2020, dhe kanë qenë kryesisht për personat që kanë thyer karantinën, apo që nuk u janë përmbajtur rregullave të vendosjes së maskës dhe grumbullimeve në ambiente të mbyllura.

“Të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë ushtruar autoritetin e vendosjes së masës administrative me gjobë, duhet të përgatisin listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 tetor 2020”.

Po ashtu, është marrë vendimi që të gjithë ata persona që i kanë paguar këto gjoba t’iu rikthehen paratë në llogari bankare.

“Në rastin e gjobave të vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 2, të nenit 1, të këtij akti, të gjitha strukturat përkatëse duhet të dërgojnë listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative. Mënyra dhe rregullat e hollësishme për zbatimin e faljes dhe kthimin e shumave të paguara, sipas përcaktimeve të këtij akti normativ, përcaktohen nga këshilli bashkiak”, thuhet në vendimin e marrë nga Këshilli i Ministrave.

Gjithashtu, do të kthehen edhe licencat dhe mjetet e bllokuara për shkak të shkeljes së karantinës.

“Të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, përjashtuar ato të parashikuara në nenin 2, të këtij akti normativ, si lejet/licencat dhe mjetet e bllokuara, duhet të kthehen brenda datës 15 nëntor 2020 te subjekti përfitues. Ngarkohen titullarët e secilit prej institucioneve shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, që kanë vendosur masa administrative sipas këtij neni, të nxjerrin udhëzimet përkatëse për përcaktimin e mënyrës së kthimit të detyrimit të falur”.

Në Shqipëri janë hequr thuajse gjitha masat e vendosura për të ndaluar përhapjen e pandemisë së koronavirusit, dhe autoritetet e kanë lënë në dorë të qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të kenë kujdes për veten.

Nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, deri më tani në Shqipëri është raportuar për 9,100 raste të infektimit.

Prej tyre, 407 pacientë kanë vdekur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG