Ndërlidhjet

A po e pret Kosovën një valë e re e pandemisë?


Mikrobiologu Lul Raka
Mikrobiologu Lul Raka

Kosova aktualisht është në mesin e shteteve të Evropës me numër të vogël të të infektuarve me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen e COVID-19.

Kështu tha Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, Kosova e ka kaluar valën e dytë gjatë muajve korrik e gusht, ku numri i të infektuarve dhe vdekjeve nga kjo sëmundje ka shënuar numër rekord.

Ndërkaq, me ftohjen e motit dhe grumbullimin e njerëzve në ambiente të mbyllura, Raka tha se është shumë e rëndësishme që të mbahet distanca, maska dhe higjiena personale, në mënyrë që të mos kemi shtim të numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus.

Radio Evropa e Lirë : Z. Raka, cili është vlerësimi juaj i situatës aktuale të pandemisë në Kosovë?

Lul Raka: Aktualisht Kosova është në mesin e shtatë shteteve të Evropës me numrin më të vogël të rasteve të regjistruara në dy javët e fundit. Pra, jemi me numrin më të vogël të të infektuarve në 100 mijë banorë.

Kjo situatë epidemiologjike e favorshme për momentin është lajm shumë i mirë në kohën kur jemi futur në sezonin dimëror, prej fillimit të tetorit dhe kemi edhe sfida tjera që do përballemi.

Faktorët të cilët kanë ndikuar në uljen e rasteve

Radio Evropa e Lirë : Në shumë vende të Evropës tashmë ka rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19, ndërkohë që Kosova po shënon ulje të numrit të personave të infektuar, por edhe të vdekjeve. Si e shpjegoni këtë fakt?

Lul Raka: Në uljen e rasteve në dy tri javët e fundit kanë ndikuar dy faktorë të cilët kanë qenë dhe janë përcaktues të situatës epidemiologjike. Në radhë të parë është sjellja individuale, zbatimi i masave nga ana e popullatës.

E kemi pa që muajin e fundit kjo zbatueshmëri ka shënuar rritje të ndjeshme. Kemi parë njerëz me maska rrugëve, distancë dhe higjienë të duarve e që është një prej tre faktorëve parandalues. Ndërkaq, faktor tjetër që ndikon drejtpërdrejt në këtë strukturë të përgjithshme të epidemiologjisë, është edhe inspektimi nga autoritetet shtetërore.

Në momentin kur njëtrajtësisht edhe popullata i zbaton masat, por ka edhe inspektim strikt nga inspektorati, nivel komunal dhe qendror si dhe nga policia, kemi parë që numri i të infektuarve ka rënë dhe situata epidemiologjike është shumë e favorshme.

Gjithashtu kjo ndikon që kapacitetet shëndetësore të kenë kohë të mjaftueshme të përgatiten për faktorët e rritjes së numrit të rasteve siç janë sigurimi i stafit të mjaftueshëm, e që përmes investimeve të Bankës Botërore do të ketë numër të rinj të stafit që tashmë janë rekrutuar dhe do të fillojnë punën javën e ardhshme.

Sigurimi i testeve të mjaftueshme e që Kosova do të jetë në gjendje ta përcjell më mirë situatën epidemiologjike në teren duke i identifikuar me kohë dhe duke gjurmuar rastet dhe izoluar ata që janë COVID pozitiv.

Radio Evropa e Lirë: A është Kosova e përgatitur për rikthimin e rasteve më të mëdha dhe a ekziston rreziku që edhe në Kosovë të rriten rastet me koronavirus?

Lul Raka: Mendoj se jemi përgatitur pasi është shfrytëzuar në maksimum kjo situatë epidemiologjike gjatë gjithë pandemisë me COVID-19, edhe me teste edhe me staf edhe me kapacitete shëndetësore, por edhe me vetëdijësim, pasi që e kemi parë që vetëdijësimi është një proces kudo në botë.

Vetëdijësimi është faktor i besimit mes popullatës dhe autoriteteve që zbatojnë dhe mbikëqyrin masat, dhe rezultatet nuk do të mungojnë.

Gjatë kësaj kohe është shfrytëzuar ngritja e kapaciteteve shëndetësore dhe problemeve që jemi ballafaquar muajt e kaluar, siç ka qenë aspekti teknik si problemi me oksigjen e që ndërkohë është evituar dhe kjo kohë është shfrytëzuar për sigurimin e më shumë shtretërve që të gjitha së bashku sigurojnë që përballja me faktorët që rrezikojnë rritjen e numrave të jetë më i suksesshëm dhe më i menaxhueshëm.

Këta faktorë janë tre, pra është rifillimi i shkollave, pra janë më shumë se 300 mijë njerëz në qarkullim, e dyta ndryshimi i motit, me ftohjen e kohës qëndrimi i njerëzve nga jashtë fokusohet në objekte të mbyllura ku shpesh nuk ka ventilim sidomos në kateteri ku ka grumbullim të njerëzve dhe këto janë faktorë favorizues të përhapjes së virusit dhe elementi i tretë është gripi sezonal.

Patjetër që një numër i njerëzve do të preken nga gripi. Kur jemi te gripi, masat parandaluese si maskë, distancë dhe higjienë të duarve janë të njëjta që zbatohen edhe të gripi, ndaj me të njëjtën armë mund ta luftojmë njëkohësisht edhe COVID-19 edhe gripin sezonal. Andaj mendoj se është shumë e rëndësishme që jemi futur në sezonin e dimrit me numër stabil të rasteve.

Masat parandaluese deri tek zbulimi i vaksinës

Radio Evropa e Lirë : Meqë tash është koha e gripit sezonal, dhe simptomat me COVID-19 janë të ngjashme, a do duhej të vaksinohet popullata kundër gripit sezonal, dhe pse ende nuk ka filluar ky proces?

Lul Raka: Po patjetër, një faktor i rëndësishëm është imunizimi. Andaj kudo që kemi mundësi për parandalim, e kjo mundësi ekziston tek gripi përmes vaksinës patjetër që duhet të shfrytëzohet sidomos tek kategoritë e rrezikuara të popullatës.

Dërgesa e parë besoj që do të vjen në fillim të nëntorit. Synimi është që të sigurohen 500 mijë doza, pasi është e rëndësishme, meqë me vaksinë kundër gripit i mbrojmë kategoritë e rrezikuara e që janë potencial edhe me COVID-19 të infektohen.

Radio Evropa e Lirë : Deri kur do të zgjasin masat parandaluese?

Masat parandaluese do të zgjasin deri tek zbulimi i vaksinës për COVID-19. Prej rezultateve dhe hulumtimeve të vaksinave në mbarë botën është thënë që periudha optimale do të jetë fundi i vitit, dhe besoj që do të kemi vaksinë, por që procesi i imunizimit do të merr kohë, pasi që është e vështirë që në të njejtën kohë të vaksinohen miliarda njerëz nëpër botë.

Shpërndarja e vaksinimit do të merr kohë dhe masat parandaluese do të vazhdojnë deri në mbylljen e ciklit të vaksinimit kundër COVID-19.

Radio Evropa e Lirë : A mund të pritet mbyllja e sërishme, qoftë e gastronomisë për shembull, apo edhe kufizimi i lëvizjes së lirë të njerëzve?

Lul Raka:

Nëse do të ketë përkeqësim të situatës epidemiologjike, patjetër që do të ketë masa kufizuese, por nuk besoj që do të ketë kufizim total, siç ka qenë në muajin prill, sepse mendoj se ajo nuk është zgjidhje.

Kjo pasi e dimë faktin që ne duhet të bashkëjetojmë me virusin, këtu edhe më tepër theksohet roli i masave parandaluese sepse duke i zbatuar masat parandaluese dhe duke i mbajtur numrat e të infektuarve nën kontroll, atëherë i mbajmë shkollat hapur, sportin, ekonominë, kulturën, gjithçka.

Çfarëdo përkeqësimi i numrave mund të sjellë pashmangshëm një pjesë të masave kufizuese ashtu siç po vepron një pjesë e Evropës. Shumë shtete të Evropës tashmë në dy javët e fundit i kanë mbi 300 raste në 100 mijë banorë. Unë shpresoj që këtij trendi do t'i shmangemi, nëse i zbatojmë masat parandaluese nuk do të kemi nevojë as për kufizime.

Radio Evropa e Lirë : A e ka kaluar Kosova valën e dytë të koronavirusit?

Lul Raka: Me lirimin e masave ne praktikisht e kemi pasur valën e dytë në muajt korrik e gusht. Me lirimin e masave, pra në muajin qershor kur popullata është kthyer në normalitet, dhe nuk ka pasur zbatim të masave parandaluese e as inspektim të duhur. Andaj ka rezultuar me ngritje masive të numrave të të infektuarve dhe mbingarkesë të kapaciteteve spitalore edhe laboratorike.

Andaj faktikisht i bie të jetë një valë tjetër, valë e tretë mirëpo kjo valë ndërlidhet me valën e dytë në shumicën e shteteve të Evropës, për shkak të sezonit dimëror.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG