Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, emëroi të hënën Ana Bërnabiqin mandatare për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.
Vuçiq tha se ka pasur disa kandidatë, por Bërnabiq, e cila ka qenë kryeministre e Serbisë nga viti 2017, “ka punuar në interes të qytetarëve, ka qenë besnike ndaj Serbisë dhe ka punuar për përfitimet e vendit”.
Për Bërnabiqin “ka një mendim shumë të lartë”, tha Vuçiq.
Ai tha se i ka kërkuar asaj që të konsiderojë hapjen e dy ministrive të reja, për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, si dhe për kujdesin ndaj familjes dhe fëmijëve.
“Po ashtu e kam lutur mandataren që, nëse është e mundur, 50 për qind ose afër 50 për qind e anëtarëve të qeverisë të jenë gra”, tha Vuçiq.
Ana Bërnabiq ka qenë kryeministre e Serbisë nga 29 qershori, 2017.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë mbajtur më 21 qershor.
Pragun prej 3% të votave e kanë kaluar shtatë lista, nga të cilat katër janë të pakicave.
Shumicën e ka fituar lista zgjedhore "Aleksandar Vuçiq - Për fëmijët tanë", me 1,953,998 vota, apo 60.65% të tyre.