Ndërlidhjet

Xhaferoviq: Bosnje dhe Hercegovina mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë


Bosnje dhe Hercegovina e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Uashington dhe Bruksel dhe dëshiron të ketë një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme, ka thënë në Tiranë të Shqipërisë, anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq.

“Bosnje dhe Hercegovina mbështet të gjitha iniciativat rajonale që respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të gjitha vendeve. Gjithashtu mbështesim lëvizjen e lirë të mallrave, qytetarëve, investimeve dhe kapitalit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Xhaferoviq në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai tha se Bosnja e ka regjimin më të ngushtë për lëvizjen e njerëzve me Kosovën dhe se dëshiron që këtë ta përmirësojë.

Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se e ka inkurajuar anëtarin e presidencës trepalëshe që Bosnja të vazhdojë përpjekjet për zgjidhje pragmatike për njohjen e dokumenteve dhe lehtësimin e regjimit të vizave për shtetasit nga Kosova.

Meta dhe Xhaferoviq diskutuan edhe mundësinë e rihapjes së ambasadave të Shqipërisë në Bosnje dhe anasjelltas, duke thënë se ky akt do të pëmirësojë raportet dypalëshe.

Bosnje dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Më 17 qershor, presidenca trepalëshe e Bosnjës kishte shqyrtuar kërkesën e anëtarit të saj, Shefik Xhaferoviq, mirëpo vendimi nuk ishte miratuar pasi anëtari tjetër i presidencës, Millorad Dodik kishte votuar kundër. Pro kishte votuar edhe anëtari kroat i presidencës, Zhelko Komshiq.

Vendimi në presidencën trepalëshe merret me konsensus të tre anëtarëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG