Vesa, 16-vjeçare, nga Prishtina thotë se ka një vit që i frekuenton baret ku konsumohet nargjileja, apo siç njihen në Kosovë edhe si ‘shisha-bare’.
Për Radion Evropa e Lirë ajo tregon se veçmas gjatë fundjavës, ‘shisha-baret’ janë të stërmbushura, kryesisht nga të rinjtë. Por, sipas saj, për të frekuentuar këto vende, duhet që paraprakisht të bëhet rezervim.
“Është si të jetë një festë”, tregon Vesa.
“Për disa fëmijë e dinë prindërit dhe pranojnë, por ka disa prindër që nuk e dinë për fëmijët e tyre që konsumojnë shisha (nargjile). Sipas mendimit tim, nuk mendoj që është e dëmshme. Unë i kam 16 vjet dhe qe një vit shkoj në shisha-bare”, shton ajo.
Konsumimi i nargjilesë, apo tymosja e aromave të ndryshme pa nikotinë apo edhe me të, është bërë trend në mesin e miturve, të cilët, në ahengje të ndryshme e konsumojnë atë.
Por, sipas inspektorit sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, sikurse edhe duhani dhe alkooli – që lejohet të përdoret vetëm nga personat mbi 18 vjeç – ky kriter do të duhej të vlente edhe për nargjilenë.
Ai thotë se shumë shpejt do të futet në program çështja e zbatimit të Ligjit për duhanin dhe nargjilesë dhe se, sipas tij, parashihet që të punësohen edhe inspektorë të rinj për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit.
“Shisha (nargjileja)mund të lejohet të konsumohet, por mosha është e limituar. Edhe shisha është duhan, ndonëse në të vendosen aroma të ndryshme. Është më i lehtë se duhani dhe është është trend i ri që konsumohet në botë. Por, në bazë të ligjit mund të aplikohet mbi moshën 18-vjeçare shisha, duhani e alkooli”, tha ai.
Sipas drejtuesit të Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë, Safet Blakaj, mosha mesatare e të rinjve që konsumojnë nargjile është rreth 14 vjeç.
Ai shton se nga përdorimi i nargjilesë mund të krijohet varësi e lehtë psikike, por thotë se nuk ka hasur në asnjë rast, kur një person ka krijuar varësi nga përdorimi i nargjilesë. Edhe të dhënat e OBSH- së tregojnë se tymosja e nargjiles krijon varësi, për shkak të nikotinës në tobako i cili përdoret për tymosje.
Pulmologia Rukije Mehmeti, thotë se konsumimi i tyre nga personat nën 18 vjeç është shumë i dëmshëm. Sipas saj, tymi që futet në mushkëri, lë pasoja të pariparueshme tek fëmijët, që janë duke u zhvilluar.
“Pa diskutim që janë të dëmshme. Së pari ajo është tym që po hyn në mushkëri, dhe ajo i dëmton mushkëritë. Infeksione do të ketë, pasi aty ku e fusin gojën, nuk dihet se sa janë të kontrolluara dhe të pastra. Çdo pjesë e dëmtuar e mushkërive nuk kthehet prapa. Unë mendoj se duhet mbahen ligjërata tek fëmijët, që janë shumë të rrezikshme për fëmijët”, thotë ajo.
Disa nga pronarët e shisha-bareve në Prishtinë refuzuan të flasin për frekuentimin e te rinjve në lokalet tyre. Ndërkaq, njëri prej tyre, Mentor Haxhiu, tha se ka raste kur kërkojnë të futen brenda shisha barin, fëmijët nën moshën 18 vjeç, por që siç thotë ai, ata nuk lejohen që të hyjnë brenda.
"Nuk i lejoj fëmijët të hyjnë, që ta mbaj prestigjin e lokalit tim, në mënyrë që të frekuentohet nga persona më të mëdhenj. Jo pse është e ndaluar me ligj ose diçka, por jo nuk i lë të vegjlit që të hyjnë (në lokal), vetëm për këtë shkas”, thotë ai.