Ndërlidhjet

FH: Pandemia thelloi krizën për demokraci në botë


Foto ilustrim.
Foto ilustrim.

Pandemia e COVID-19 e ka thelluar krizën për demokraci në të gjithë botën, duke u siguruar qeverive një mbulesë për të prishur zgjedhjet, heshtur kritikët dhe median, si dhe për të minuar përgjegjësinë e domosdoshme që kanë për të mbrojtur të drejtat e njeriut si dhe shëndetin publik, thuhet në raportin “Demokracia nën izolim”, të organizatës Freedom House.

Raporti thotë se që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, gjendja e demokracisë dhe të drejtave të njeriut është përkeqësuar në 80 vende të botës. Përkeqësim ka pasur veçanërisht në demokracitë e rrezikuara dhe shtetet me qeverisje shtypëse, sipas ekspertëve të anketuar nga projekti.

“Më shumë se 60 për qind e të anketuarve parashikuan se në tre deri në pesë vjetët e ardhshëm, ndikimi i pandemisë në të drejtat politike dhe liritë qytetare në vendet e tyre do të ishte kryesisht negativ”, thuhet në raport.

Katër probleme kyçe gjatë pandemisë janë identifikuar nga ana e ekspertëve që kanë marrë pjesë në hulumtim dhe ato janë: mungesa e transparencës qeveritare dhe informacionit mbi koronavirusin, korrupsioni, mungesa e mbrojtjes për shtresat e ndjeshme të popullatës dhe keqpërdorimi i pushtetit nga qeveria.

“Në shkallë globale, pandemia po përshpejton rënien e nivelit të lirisë së shprehjes. Në të paktën 91 vende ndodhën kufizime në media si pjesë e përgjigjes ndaj COVID-19. Qeveritë miratuan legjislacion të ri kundër përhapjes së 'lajmeve të rreme' në lidhje me virusin. Ato, gjithashtu, kufizuan mundësinë e pyetjeve të pavarura në konferencat për shtyp, pezulluan shtypjen e gazetave dhe bllokuan faqet e internetit”, thuhet në raport.

Aty thuhet se qeveritë po e përdorin pandeminë si një arsyetim për t'i dhënë vetes kompetenca të veçanta, përtej asaj që është e nevojshme për të mbrojtur shëndetin publik.

“Ata kanë shfrytëzuar autoritetin e ri të emergjencave për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, për të vendosur kufizime ndaj kundërshtarëve politikë dhe për të anashkaluar funksionet thelbësore të legjislativit”, thekson Freedom House, duke shtuar se parlamentet janë penguar nga kufizimet shëndetësore dhe ligjet e emergjencës, dhe nganjëherë ato janë manipuluar për qëllime politike.

“Në Mal të Zi, qeveria dhe mediat e saj shfrytëzuan rastin për të shënjestruar çdo protestë fetare, posaçërisht ato të anëtarëve të Kishës Ortodokse Serbe, si të pakujdesshme ndaj rrezikut, nëse jo edhe të qëllimshme për përhapjen e koronavirusit dhe minimin e regjimit”.

Disa qeveri, sipas raportit, kanë zbatuar masa të izolimit në mënyrë diskriminuese.

Njëri nga të intervistuarit në Serbi tha se aty "migrantët u portretizuan si bartës të mundshëm të virusit."

Ndërsa, një tjetër në Turqi tha se “koronavirusi u përdor nga qeveria për të bërë disa gjëra që ajo kishte planifikuar prej kohësh, por nuk kishte qenë në gjendje t'i bënte".

Ndikimi në zgjedhje

Raport vë në pah se abuzimet e qeverisë po ndikojnë, gjithashtu, në zgjedhje.

“Autoritetet vonuan ose prishën zgjedhjet e përgjithshme në nëntë vende midis janarit dhe gushtit 2020. Disa nga këto ndryshime zgjedhore nuk arritën t'i përmbushin standardet demokratike, për faktin se zgjedhjet e reja nuk u planifikuar menjëherë ose për shkak se zyrtarët caktojnë data të reja, pa bërë përgatitjet e duhura për votim të sigurt”, thuhet në raport.

Kjo çështje arrin deri në Shtetet e Bashkuara.

“Autoritetet lokale të zgjedhjeve në të gjithë vendin duket se nuk janë të përgatitura mirë për votimet në nëntor, duke pasur parasysh rritjen e kërkesës për votim me postë, mungesat e mundshme të personelit dhe ndryshimet në minutën e fundit të rregullave zgjedhore - të gjitha të ndërlidhura me pandeminë”, theksohet në raport.

Paralajmërime për “mashtrime” në zgjedhjet në SHBA
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:25 0:00

Deri më tani ky raport është përpjekja më e thukët për të analizuar gjendjen e demokracisë gjatë pandemisë.

Freedom House kreu hulumtimin nga janari deri në shtator të vitit 2020. Hulumtimi përfshiu një sondazh në internet nga kompania GQR, e kryer nga 29 korriku deri më 15 gusht 2020, në të cilin 398 ekspertë raportuan për gjendjen e demokracisë në 105 vende dhe territore.

Përveç kësaj, Freedom House u konsultua me rrjetin e vet global të analistëve, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të hulumtuara në 192.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG