Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje forcave armene dhe azere që "menjëherë të ndalojnë luftimet" mbi rajonin e Nagorno Karabakut.
Një deklaratë e miratuar unanimisht nga këshilli prej 15 anëtarësh më 29 shtator gjithashtu shprehu mbështetje për thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, që palët të de-përshkallëzojnë tensionet dhe të kthehen në negociata.
Këshilli "shprehu shqetësim në lidhje me raportet e veprimeve ushtarake në shkallë të gjerë përgjatë Linjës së Kontaktit në zonën e konfliktit në Nagorno Karabak" dhe "dënon fuqimisht përdorimin e forcës".
Deklarata vjen derisa luftimet ngritën frikën e shpërthimit të një lufte të re, në shkallë të plotë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Dhjetëra persona janë raportuar të vrarë dhe qindra të plagosur që kur përleshjet midis forcave azere dhe armene shpërthyen të dielën në luftimet më të ashpra që nga vitet 1990. Të martën, Armenia akuzoi Turqinë për rrëzimin e një aeroplani luftarak armen. Por, Ankaraja ka mohuar pretendimet.
Turqia ka premtuar mbështetje të plotë për Azerbajxhanin dhe ka akuzuar Armeninë për pushtimin e tokave azere në rajonin e Nagorno Karabakut, i cili ndodhet brenda Azerbajxhanit, por udhëhiqet nga armenët etnikë me mbështetjen e Jerevanit.
Nagorno Karabaku është vend malor, tokë kryesisht me pyje që ndodhet brenda territorit të ish-republikës sovjetike të Azerbajxhanit dhe ndërkombëtarisht është i njohur si pjesë e këtij shteti, shkruan agjencia Reuters.
Por, armenët etnikë që përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë prej 150,000 banorësh, e kundërshtojnë sundimin e Azerbajxhanit. Më ndihmën e Armenisë, ata qeverisin vetë qysh kur trupat ushtarake azere u dëbuan nga ky territor në luftën e viteve të 90-ta. Një armëpushim ishte arritur në vitin 1994, por të paktën 200 njerëz u vranë në shpërthimin e dhunës në vitin 2016. Rajoni i Nagorno Karabakut mbijeton pothuajse plotësisht nga mbështetja buxhetore nga Armenia dhe donacionet nga diaspora armene.