Ndërlidhjet

Dështon sërish votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike


Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës

Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës, për herë të katërt, nuk arriti të votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Ky projektligj nuk ka qenë në rend dite në seancën e së hënës, por është futur me propozim të shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 22 korrik, kap vlerën prej 385 milionë eurosh.

Me të synohet që, përmes politikave fiskale dhe monetare, t'iu dilet në ndihmë bizneseve që kanë pësuar humbje nga masat e ndërmarra për frenimin e pandemisë.

Ky projektligj po ashtu synon t'iu mundësojë qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro, me rreth 690,000 kontributpagues.

Kjo i bie se vlera e përgjithshme që do të mund të tërhiqej nga Fondi është rreth 200 milionë euro, mjete këto që, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, do të stimulonin kërkesën agregate në treg.

Stimulimi i kërkesës agregate nënkupton rritjen e shpenzimeve që eventualisht do ta bënin qytetarët, pas marrjes së parave nga kontributet pensionale.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese nga masat e marra nga qeveria për parandalimin e pandemisë, të cilat, në një kohë, kanë përfshirë edhe mbylljen e disa bizneseve.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, bizneset në Kosovë kanë pasur afër 900 milionë euro më pak qarkullim gjatë periudhës mars-korrik, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Lexoni edhe këtë: Qeveria e Kosovës ndan 60 milionë euro për bizneset

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG