Ndërlidhjet

Azerbajxhani dhe Armenia vazhdojnë luftimet, bota apelon për armëpushim


Luftime të ashpra për Nagorno Karabakun
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Luftime të ashpra për Nagorno-Karabakun

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtarë për vetëpërmbajtje, Armenia dhe Azerbajxhani kanë vazhduar për të dytën ditë me radhë luftime të ashpra, për shkak të rajonit të kontestuar të Nagorno Karabakut.

Jerevani raportohet se ka vazhduar luftimet edhe gjatë natës të së dielës, ndërkaq autoritetet në Baku kanë thënë se forcat armene kanë granatuar qytetin Tartar.

Autoritetet në Nagorno Karabak, një enklavë separatiste armene në brendi të Azerbajxhanit, thanë të hënën se 32 luftëtarë të tyre u vranë në luftimet e së dielës me forcat e Azerbajxhanit.

Ministria e Mbrojtjes së Armenisë, përmes një komunikate tha se “luftimet intensive vazhduan gjatë natës”.

Ndërkaq, përmes një njoftimi për media, Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha se “forcat armene kanë granatuar qytetin Tartar”, që ndodhet ngjitur me Nagorno Karabakun.

Konflikti shumëvjeçar në Kaukazin Jugor shpërtheu në luftimet më vdekjeprurëse në katër vjet, duke kërcënuar kështu përfshirjen në konflikt të fuqive rajonale: Rusisë dhe Turqisë.

Të dyja palët, në ditën e parë të luftimeve kanë përdorur helikopterë, dronë, tanke dhe artileri të rëndë.

Nagorno Karabaku përgjatë periudhave të ndryshme kohore ka përjetuar përleshje kufitare përgjatë të ashtuquajturës ‘Linjës së Kontaktit’ që i ndan forcat armene dhe azere nga zona e frontit, në konfliktin më të gjatë të Evropës.

Në korrik, në një ditë luftimesh, ku u përdorën edhe dronët dhe artileria e rëndë, u vranë 17 persona, kryesisht ushtarë të të dyja vendeve dhe një civil.

Harta e Nagorno Karabakut.
Harta e Nagorno Karabakut.

Por, dhuna që nisi të dielën, duket më shumë se vetëm një zemërim i çastit, pasi zyrtarët armenë dhe azerë e përshkruan atë si luftë, duke e akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e ofensivës.

“Ne jemi në prag të një lufte të plotë në Kaukazin Jugor”, paralajmëroi kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, duke akuzuar Azerbajxhanin për zbatimin e një plani të parapërgatitur për agresion.

Armenia dhe Nagorno Karabaku kanë shpallur gjendje lufte dhe mobilizimin e plotë të burrave, në përgjigjeje të, siç thonë, sulmeve të Azerbajxhanit në këtë enklavë, duke përfshirë edhe kryeqytetin rajonal, Stepanakert.

Azerbajxhani që po ashtu shpalli gjendje lufte dhe shtetrrethimin, tha se kanë nisur operacionin ushtarak në përgjigjeje të granatimeve përgjatë ‘Linjës së Kontaktit’. Zyrtarët thanë se kanë marrë kontrollin e shtatë fshatrave.

Nagorno Karabaku fillimisht e mohoi këtë lajm, por më vonë, lideri de fakto i këtij rajoni, Arayik Harutiunian, pranoi humbjen e pozicioneve afër Talish dhe në jug. Ai u zotua për rimarrjen e territoreve të humbura.

Autoritetet në Nagorno Karabak thanë se në mesin e 32 të vrarëve të dielën, dy prej tyre ishin civilë, ndërkaq më shumë se 100 të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve. Azerbajxhani ka thënë se pesë anëtarë të një familjeje u vranë nga granatimet e forcave ushtarake armene.

Pala armene thotë se i ka shkaktuar humbje të mëdha Azerbajxhanit duke përfshirë këtu shkatërrimin e dhjetëra tankeve si dhe rrëzimin e helikopterëve dhe dronëve. Por, Azerbajxhani i hedh poshtë këto pretendime.

Pamje të publikuara nga Azerbajxhani ku thotë se ka shkatërruar sisteme anti-raketore të Armenisë.
Pamje të publikuara nga Azerbajxhani ku thotë se ka shkatërruar sisteme anti-raketore të Armenisë.

Ashtu si edhe në periudhat e mëhershme të dhunës, duket se të dyja palët po i ekzagjerojnë dëmet ushtarake ndaj njëra-tjetërs dhe po përfshihen në një luftë informative, me qëllim propagandën.

Përshkallëzimi i dhunës nxiti reagim të shpejtë nga shtetet evropiane, Rusisë, Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe të tjerëve, të cilët i bënë thirrje palëve që të ndalojnë armiqësitë menjëherë dhe të nisin dialogun.

Turqia, si fuqi rajonale, në mënyrë të hapur shprehu mbështetje të plotë për Azerbajxhanin ‘vëlla’.

“Duke shtuar sulmet kundër Azerbajxhanit, Armenia edhe njëherë po dëshmon se është kërcënimi më i madh për paqen dhe qetësinë në rajon”, tha të dielën presidenti i Turqisë, tha dje Recep Tayyip Erdogan.

Kryeministri armen i bëri thirrje fuqive botërore që të parandalojnë Turqinë që të ndërhyjë në konflikt, në kohën kur pala armene dyshon se ushtria turke po e thellon përfshirjen e saj.

Në mes të muajit gusht, Turqia dhe Azerbajxhani përmbyllen dy javë të ushtrimeve të përbashkëta ushtarake, ajrore dhe tokësore, duke përfshirë edhe një në enklavën azere të Nakhchivan. Disa vrojtues kanë ngritur dyshimet nëse Turqia ka lënë prapa pajisje ushtarake apo ndoshta edhe njësi ushtarake.

Në ndërkohë, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë që monitoron luftën në Siri, raportoi më 27 shtator se rebelët sirianë që mbështeten nga Turqia, mund të dërgohen për të mbështetur Azerbajxhanin.

Lideri i Nagorno Karabakut, Harutiunian e akuzoi Turqinë për dërgimin e mercenarëve dhe aeroplanëve ushtarakë për të luftuar, duke pretenduar se tashmë “lufta ka tejkaluar kufizimin e konfliktit në vetëm ndërmjet Karabakut dhe Azerbajxhanit”.

Potenciali për përfshirjen e Turqisë në konflikt, po shikohet me kujdes nga Rusia, e cila është në anën e kundërt me vendet e NATO-s në konfliktet në Libi dhe Siri.

Rusia iu shet armë Azerbajxhanit dhe Armenisë, por ka një bazë ushtarake në Armeni dhe e favorizon këtë partneritet strategjik.

Konflikti në Nagorno Karabak nisi gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kur ky rajon dhe shtatë qarqe të tjera të Azerbajxhanit u morën nën kontroll nga separatistët e mbështetur nga Armenia. Ky rajon shpalli pavarësinë gjatë një konflikti që zgjati nga viti 1988 deri më 1994, ku u vranë të paktën 30 mijë njerëz dhe qindra mijëra të tjerë u zhvendosën.

Që nga armëpushimi i brishtë, i ndërmjetësuar nga Rusia më 1994, ky rajon ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene, që Azerbajxhani thotë se përfshijnë njësi ushtarake që janë sjell nga Armenia. Kërkesa për pavarësi e këtij rajoni, nuk është njohur nga asnjë shtet.

Përgatiti: Shkumbin Ahmetxhekaj

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG