Ndërlidhjet

Ministria serbe: Mbi 3 miliardë euro për projektet midis Kosovës dhe Serbisë


Ilustrim
Ilustrim

Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë tha se “vlera e projekteve infrastrukturore, që janë të rëndësishme për lidhjen e Beogradit dhe Prishtinës” dhe që “do të diskutohen me përfaqësues të Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, kap shumën prej 3.7 miliardë eurosh”.

Në një deklaratë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, ministria tha se, deri më tash, është siguruar financimi për pjesën e parë të autostradës Nish-Merdare-Prishtinë, të gjatë 33 kilometra, nga Nishi në Plloçnik, dhe se me Korporatën amerikane do të bisedohet për ndërtimin e pjesëve të mbetura.

Në deklaratë po ashtu thuhet se gjatësia totale e autostradës Nish-Merdare-Prishtinë është rreth 100 kilometra, nga të cilat 77 kilometra janë nga Nishi në Merdare.

Vlera e parashikuar për ndërtimin e të gjithë autostradës është 1.065 miliard euro.

Ministria serbe tha se do të bisedohet edhe për bashkëpunimin e mundshëm në projekte të tjera të trafikut rrugor, të tilla si: autostrada Bujanoc - Konçul - Gjilan - Shtërpcë, e gjatë 78 kilometra, riparimi i rrugës Ribariq - Bërnjak - Zubin Potok, e gjatë 28 kilometra, dhe rrugës Rashkë - Jarinë - Mitrovicë, e gjatë 61 kilometra.

"Kur bëhet fjalë për lidhjet hekurudhore, përparësi është rindërtimi i hekurudhës që lidh Nishin, Merdaren dhe Prishtinën”, tha Ministria serbe e Ndërtimit, për të shtuar se një nga projektet e propozuara është edhe hekurudha Prishtinë - Fushë Kosovë - Hani i Elezit.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, nënshkruan të martën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës u zotuan se do të zbatojnë marrëveshjen e 4 shtatorit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje është nënshkruar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës u bë edhe hapja simbolike e zyrës së Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të SHBA-së në Beograd.

Për më shumë lexoni këtu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG